Mbyllet për medie seanca ku po gjykohet ministrja Hajdari për aksidentin ku kishte goditur një të mitur

Aktuale

Mbyllet për medie seanca ku po gjykohet ministrja Hajdari për aksidentin ku kishte goditur një të mitur

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 11:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Është mbyllur për medie seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku kishte goditur të miturën I.B.

Gjykatësi, Shaqir Mazreku, ka marrë vendim që seanca ndaj ministres Hajdari të mbahet e mbyllur. E gjithë kjo pas kërkesës së avokatit të palës së akuzuar që seanca të mbyllet për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Fillimisht, avokati i Hajdarit, Blerim Shaqiri, kërkoi që seanca të mbahet e mbyllur, për shkak siç tha të rastit të aksidentit me të mitur.

“Kërkoj nga Gjykata që kjo seancë të mbahet e mbyllur për shkak se seanca kemi të bëjmë me rastin e aksidentit me të mitur, për shkak të mbrojtjes së të miturës në këtë rast, kërkoj nga Gjykata të marrë aktvendim dhe seanca të mbahet e mbyllur”, kërkoi avokati

Ndërsa avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, e kundërshtoi këtë, teksa kërkoi nga gjyqtari që të marrë vendim nga portalet që ta largojnë videon e aksidentit.

“Ne konsiderojmë që marrë parasysh që kjo lëndë ishte zvarritur nëntë muaj për nxjerrjen e superekspertizës, kërkesa për mbyllje të seancës nuk është e bazuar dhe kërkojmë që kur të administrohet si provë audioincizimi sepse vetëm në atë pjesë shihet e mitura dhe krahas kësaj kërkojmë nga gjykata që të nxjerrë vendim që në raport me ligjin për mbrojtjen e fëmijëve neni 5 dhe ligji për mbrojtjen e të dhënave personale të merr vendim në ndalimin e publikimit të videos dhe detyrimin e tërheqjes nga portalet dhe personat fizik që kanë bërë publikimin e saj pa autorizim dhe si rrjedhojë është cenuar privatësia”, tha avokati i palës së dëmtuar.

Në seancën e fundit të mbajtur me 8 dhjetor 2022 ishte caktuar super-ekspertiza e komunikacionit rrugor nga gjykatësja e rastit Valbona Gjonbalaj.

Në seancën e 12 tetorit 2022, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë. Ajo kishte deklaruar se ka qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat