Dështoi Komisioni hetimor për rezervat shtetërore, Cakolli tregon se kush janë deputetët që po e sabotojnë punën

Aktuale

Dështoi Komisioni hetimor për rezervat shtetërore, Cakolli tregon se kush janë deputetët që po e sabotojnë punën

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 14:32
Eugen Cakolli

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore nuk ka mundur të konstituohet as të martën, për shkak të mosprezencës së deputetëve të pozitës.

Eugen Cakolli nga KDI ka treguar përmes një video mesazhi se kush janë gjashtë deputetët e pozitës të cilët e kanë sabotuar punën e Komisionit hetimor për “rezervat shtetërore”.

Ai tha se vetëm duke mundësuar konstituimin e këtij komisioni, deputetët do të mund të kontribuojnë në heqjen e të gjithave dilemave mbi aferat potenciale korruptive.

“Këtë javë ka dështuar për herë të tretë radhazi konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e rezervave shtetërore pavarësisht votës së 69 deputetëve për, një kundër dhe 6 abstenime. Sërish shkak i dështimit të mbledhjes konstituive ishte mungesa e gjashtë deputetëve të shumicës parlamentare, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi, Salih Zyba, Erxhan Galushi që udhëhiqet nga LVV-ja.

Megjithatë fuqia politike në Kuvend, nuk duhet të shndërrohet në arsye për qeverisje jotransparente e jollogaridhënëse e cila saboton proceset parlamentare, që janë në funksion të qeverisjes së mirë e pa korrupsion. Vetëm duke mundësuar konstituimin e këtij komisioni dhe përmbushjen e mandatit të tij deputetët do të mund të kontribuojnë në heqjen e të gjithave dilemave mbi aferat potenciale korruptive dhe do të rrisin besimin e publikut në institucione dhe në qeverisje”, ka thënë Cakolli.

Ndryshe, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas dyshimeve për abuzime të mundshme.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat