MSH-ja u ka premtuar specializantëve se do ta rishikojë punën e kujdestarive

Aktuale

MSH-ja u ka premtuar specializantëve se do ta rishikojë punën e kujdestarive

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 19:51
Veton Kurti

Një grup i specializantëve po vazhdojnë protestën për tri ditë radhazi për mospagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të Pagave. Rreth kësaj proteste dha detaje specializanti në Klinikën e Radiologjisë, Veton Kurti.

Kurti thotë se dy kujdestari i kanë obligative në muaj, të cilat u paguhen, por nëse u bie të mbajnë tri apo katër, ato nuk u paguhen.

Ai theksoi se pagesa për kujdestaritë e zakonshme është 60 deri në 65 euro.

“Dy i kemi obligative. Nëse Klinika kërkon më shumë, atëherë nëse i mbajmë tri ose më shumë, na nuk paguhemi për të tretën apo katërtën. Kjo nuk vlen për të gjitha Klinikat. Ka Klinika, për shembull, Emergjencës, specializantët e Emergjencës paguhen, nëse i mbajnë katër, paguhen për katër…dy janë obligative patjetër për çdo specializant…2 në muaj. Për specializantë pagesa është, është fjala për ditë të zakonshme 60 deri në 65 euro, e për ditë vikendi hyn edhe kujdestaria e premte, shtune, diele, duhet shtesë, ajo është një pagesë ekstra, po që ne nuk e marrim. Edhe pse Ligji, nëse nuk gaboj i datës 5 shkurt, është marrë një vendim prej ministrit Vitia, orët shtesë, kujdestaritë që mbahen në vikend, duhet me u pagu si vikend. Në njëfarë mënyre ne paguhemi jashtëligjshëm”, deklaroi ai.

Tutje ai bëri të ditur se specializantët të cilët janë me vetfinancim, nuk paguhen fare nga muaji mars.

Kurti potencoi se gjatë protestës së sotme kanë bashkëbiseduar me sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili, siç thotë ai, u ka premtuar se do ta rishikojë punën e kujdestarive.

“Sot, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Bardiqi, ka dalë, ka bashkëbisedu me ne, i ka marrë kërkesat, edhe pse ato kërkesa i kemi protokoluar vazhdimisht. Nuk është kjo hera e parë që ne dalim para MSH-së…i mori kërkesat, premtoi që ka me rishiku për punën e kujdestarive, ndërsa këtë pagesën ekstra në fund të specializimit që duhet me pagu një shumë 500 euro për shtetasit e Kosovës, ndërsa 1 mijë euro për ata që janë jashtë Kosovës, nuk premtoi që do të hiqet”, u shpreh ai.

Ai shtoi se protestën do ta vazhdojnë edhe nesër.

Një grup i specializantëve kanë qëndruar edhe sot para objektit të Ministrisë duke bërë thirrje që të merren parasysh kërkesat e tyre të vazhdueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat