Aktgjykimi: Përkundër gjendjes së rënduar, Krivaqa nuk kishte ndalur torturat ndaj Marigonës

Aktuale

Aktgjykimi: Përkundër gjendjes së rënduar, Krivaqa nuk kishte ndalur torturat ndaj Marigonës

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 22:44
Dardan Krivaqa

Për dy ditë rresht brenda kësaj banese në Ferizaj, 18 vjeçarja Marigona Osmani, në gushtin e vitit 2021 përjetoi dhunë e tortura nga Dardan Krivaqa, të cilave nuk mundi tu mbijetoi.

Dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit për vrasjen prej më të rëndave që na ndodhur në Kosovën e pasluftës, Gjykata Themelore në Ferizaj, ka përpiluar aktgjykimin e plotë për këtë rast, të cilën e ka siguruar Dukagjini.

Ndër provat më të rëndësishme që është administruar në procesin gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, janë video incizimet e marra nga kamera që ishte e vendosur në koridor të banesës, ku kanë jetuar Krivaqa e Osmani.

Tortura ndaj 18 vjecares, kishte nisur natën e 21 gushtit të 2021 e kishte vazhduar deri të nesërmën, ndërsa vrasja e të ndjerës Marigona Osman, sipas gjykatës ishte e ngadalshme dhe e dhunshme.

“Në ora 23:17 vërehet kur Dardani duke e mbajtur para duarsh (në krah) Marigonën e cla ishte krejtësisht e zhveshur të njëjtën e dërgon në banjo, kurse ai vet ishte gysmë i zhveshur (pa maic siper dhe me pantallona te shkurter), ku ne trupin e Marigones verehen disa shenja të mavijosjes në pjesën e sipërme të krahut të djathtë dhe në këmbën e majtë. Në banjo shihet se i pandehuri Dardan së bashku me Marigonen qëndrojnë deri në ora 23:20 nga banjo del Dardan Krivaga dhe shihet nga dera e banjos se Marigona gjendet ende në banjo ne ulësen e tualetit dhe pastaj Dardani kthehet serish në banjo dhe e mbyll derën. Përsëri në orën 23:24 shihet kur Dardani del nga banjo dhe fik driten por Marigona shihet se është në pozitë të shtrirë përtoke në banjo me që rast Dardani e kap për duar për ta ngritur në këmbë mirëpo e njëjta nuk mund të qëndroj dhe sërish rrëzohet në tokë ashtu që gjersa ata të dytë (Marigona dhe Dardani) janë në banjo dera e banjës është gysmë e hapur dhe në ora 23:26 minuta vërehet Dardani duke e nxjerr Marigonen nga banjo duke e mbajtur para duarsh në gendje të rëndë ku në këmbet e saj vërehen disa hematome dhe shenja mavijosje.”

Por, veprimet e Krivaqës nuk ishin ndalur me kaq.

Në video incizimet të cilat janë lëshuar në seancë të mbyllur për publikun, ishte parë Dardan Krivaqa tek e lëvizte të ndjerën her në banjo e herë në dhomë të gjumit dhe se i njëjti kishte marr edhe një shkop të zi me vete, derisa shoku i tij Arbër Sjediu kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës aty.

“Në ora 03:20 Dardan Krivaqa nga dhoma e gjumit të banesës të ndjerën e dërgon në banjo duke e mbajtur para dush dhe të njejtën e ul në tualet dhe pastaj e mban derën e banjos gjysmë të hapur. Aty qëndrojnë deri në ora 03: 26. Ndërkohe Arber Sejdiu hynë në banesë dhe vërehet se me vete ka ushqim – picë dhe shkon në sallonin e ndejës. Pastaj Dardani del nga banjo ku e len derën hapur dhe e ndjera vërehet duke qëndruar në guack në gendje të rënduar, Dardani e merr një peshqir në dollap dhe e kthen të ndjerën nga banjo në dhomën e gjumit duke e mbajtur para duarsh në gjendje të rënduar. Në orën 10:56 Dardani del nga dhoma e gjumit e merr me shpejtësi shkopin e zi i cili ishte i vendosur mbi radiator në korridor të banesës dhe kthehet në dhomën e gjumit ku ishte e ndjera së bashku me Arbrin i cili vetëm i shikon lëvizjet e Dardanit.Në ora 10:58 i akuzuari Arber Sejdiu del nga dhoma e gjumit në korridor afrohet afër derës së hyrjes së banesës, shikon në vrimen e derës së hyrjes se mos është ndokush dhe provon se a është dera e mbyllur dhe kthehet sërish në dhomën e gjumit ku është i akuzuari Dardan dhe e ndjera”.

Pavraësisht gjendjes së rënduar të Marigonës, Krivaqa e Sejdiu tek pasditën e 22 gushtit, të 2021 kishin vendosur që të e dërgojnë atë në afërsi të spitalit, e për tu arratisur.

Në këtë aktgjykim, tutje thuhet se trupi gjykues nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese tek Krivaqa, ndaj të cilit edhe ka vendosur të shqiptojë dënimin maksimal për veprën penale vrasje e rëndë, e Arbër Sejdiun e dënoi me 15 vite burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Vrasje makabre është cilësuar nga trupit gjykues në rreshtat ku është bërë vlerësimi i mbrojtjes së të akuzuarve dhe motivi i kësaj vrasje.

“Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se motivi i kryerjes së kësaj vrasje makabre është xhelozia e pa arsyeshme e të akuzuarit Dardan Krivaqa ndaj të ndjerës Marigona Osmani.”

Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu ishin të njohur për drejtësinë kosovare, meqë ndaj të dyve kishte dosje penale.

Shpallja e aktgjykimit për këtë vrasje të rëndë, u bë më 4 gusht të këtij viti, derisa të dya palët kanë paralajmëruar ankesë në Gjykatë të Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat