​Pozita mungon në Komision, opozita mban dëgjim publik për kërkesat e Policisë

Aktuale

​Pozita mungon në Komision, opozita mban dëgjim publik për kërkesat e Policisë

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, në të cilën do të shqyrtohej peticioni i Sindikatës së Policisë se Kosovës. Kjo për shkak se munguan deputetët nga mazhoranca.

Megjithatë, kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje bashkë me deputetët e tjerë të opozitës që ishin prezent, vendosen që të mbajnë dëgjim publik.

Balje tha se pavarësisht që s’ka kuorum, do të respektohet Sindikata e Policisë.

Balje: Pavarësisht që s’kemi kuorum, po respektojmë Sindikatën

“Ne në fakt me rregulloren e Kuvendit nuk kemi plotësuar kushtin për me mbajt Komisionin, sepse nuk kemi kuorum. Kemi bërë marrëveshje me deputetët që janë prezent, mos me marrë mëditje, mos të bëhet takimi i rregullt, pasi s’kemi kuorum, por ne po dëshirojmë të respektojmë kryetarin e Sindikatës, bashkë me kolegun”, tha Balje.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka renditur sërish kërkesat e Policisë që janë të shkruara në peticion.

Zeqiri mes tjerash ka propozuar që mos të bëhen shkelje ligjore në këtë drejtim, pasi siç tha ai, detyrohen që me vendimet e Gjykatës t’i realizojnë të drejtat e Policisë.

Zeqiri: Propozoi që mos të bëhen shkelje ligjore që detyrohemi që me vendimet e Gjykatës t’i realizojmë të drejtat tona

“Peticionin e kemi dërguar në Kuvend më datën 18 korrik të këtij viti, dhe atëherë ashtu siç kemi biseduar për shkak të pushimeve verore të Kuvendit, ka mbetur që të ngritet pas përfundimit të pushimeve të deputetëve. Arsyeja pse ne jemi detyruar si sindikatë të bëjmë këtë peticion, ka qenë sepse në një formë i harxhuam kërkesat drejtuar MPB-së, dhe Ministrisë së Financave e Qeverisë. Të gjitha këto që janë pasqyruar në këtë peticion, janë kërkesa paraprake që janë dërguar edhe para një viti. Arsyeja ka qenë që punonjësit e PK-së të pasqyrojnë pakënaqësitë e veta, janë të nënshkruar 63 për qind e PK-së, e që të gjithë punonjësit kërkojnë të plotësohen këto kërkesa...Në peticion janë të renditura kërkesat, si ligji i pagave, shtesat për rrezikshmëri në punë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta ditore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, kështu me radhë...19:18 Propozoi që mos të bëhen shkelje ligjore që detyrohemi që me vendimet e Gjykatës t’i realizojmë të drejtat tona, siç ka ndodhur tash këto ditë dhe po ndodh”, tha Zeqiri.

Ndërsa, nënkryetari i sindikatës, Avni Hoti ka adresuar ankesa ndaj pozitës dhe opozitës për veprimet që po bëjnë karshi PK-së.

Hoti ka bërë thirrje që mos të bëhet kauza politike mbi Policinë e Kosovës.

Hoti: Mos e bëni kauzën politike mbi PK-në, mos luftoni në terrenin tonë

“Më të vërtetë Policia është në një gjendje shumë të keqe ekonomike-sociale. Dy gjëra që më kanë shtyrë sot me ardhë këtu janë dy ngjarjet e djeshme që kanë ndodhë, njëra në Parlament e tjetra në konferencë për media. Dy tabore luftojnë me një fushë krejt tjetër, luftojnë në fushën e PK-së, si opozita dhe pozita. Më vjen keq prej të dyjave, prej opozitës sepse 22 vjet pas lufte nuk ishin në gjendje, dikush në pozitë e dikush në opozitë të rregullojnë çështjet e PK-së, dhe luftën kryesore dhe kauzën politike e shfrytëzuan vetëm mbi PK-në, nuk kanë kauzë tjetër. Ku janë këta njerëz, dikush katër vjet deputetë, e dikush tetë e 12, që nuk mundën ta zgjedhin çështjen e PK-së. Ju jeni deputetë, më vjen keq që edhe kur dalin disa në Parlament e në konferencë për media, a besoni që asnjë njohuri nuk e kanë për çka flasin. Njëri thotë Policia nuk ka nevojë për mbështetje tjetër përveç morale, e mbështetje morale neve na jep vet vullneti jonë që po punojmë për këtë vend. Tjetri thotë PK ka një lloj sigurimi shëndetësor, nuk kanë nevojë për kompani sigurimi private për sigurim shëndetësor tyre... Ju kisha lut juve dhe ata që nuk janë këtu, mos e bëni kauzën politike mbi PK-në, mos lufotni në terrenin tonë, sepse ne jemi aat që nuk dëgjojmë, jemi apolitikë”, tha Hoti.

Me këtë u pajtua edhe deputetja, Balje. Ajo bëri thirrje qeverisë të marrë me seriozisht kërkesat e Policisë së Kosovës.

Balje: Thërras qeverinë publikisht nëse ka dëgjuar këto fjalë, të marrë me seriozitet më të madh 

“Keni të drejtë për çdo fjalë që e keni thënë. Vërtetë kanë kaluar shumë kohë, jemi tu folë për Policinë veç kur ndodhë diçka e keqe, tashmë kemi heroin më të ri të Kosovës. Sërish do të provojmë këtë herë, sepse vet kryeministri ka thënë që s’jemi të sigurtë, nesër mund të ndodhë sërish njëjtë dhe jeni në këtë pozitë. Vërtetë nuk e kuptoj ku Policia janë duke marrë motiv të punojnë, ndoshta prej dashurisë për shtetin. Ne këtu nuk kemi ekzekutiv, ne jemi legjislativ, nuk mund të bëjmë presion qeverisë, ajo bënë çfarë të dojë. Keni qenë të qartë, konkret. Kush ka kuptuar, ka kuptuar, unë thërras qeverinë publikisht nëse ka dëgjuar këto fjalë, të marrë me seriozitet më të madh”, tha Balje.

Ndërkaq, deputetja nga PDK, Ariana Musliu-Shoshi i është përgjigjur Hotit, duke thënë se gjithë çfarë kanë sot Policia, janë nga partitë e kaluara.

Musliu-Shoshi: Të gjitha që i keni sot si PK, i keni falë qeverive të kaluara 

“Përderisa sot është dëshmi që ne as nuk kemi kuorum të mbajmë mbledhje, kjo tregon që ata nuk janë të gatshëm as të ju dëgjojnë, le më të merren me zbatim konkret të atyre që meritoni. Pra, kjo tregon më të vërtetë se çfarë mendojnë, ashtu siç ka menduar edhe shefi i tyre sa ishte në opozitë, që policia ka vdekë për së gjalli. Përderisa kemi një pozitë e cila nuk vjen as të votojë Rezolutë, përveç që nuk vjen në debate parlamentare kur thirrën për policinë...nuk vinë që të përgjigjen. Ne në Kuvend nuk po bëjmë luftë, po mundohemi që kërkesat që kemi direkt nga policët t’i flasim në Kuvend. U përmend që 22 vjet nuk është bërë asgjë, të gjitha që i keni sot si PK, i keni falë qeverive të kaluara, përfshirë trajnimet e ligjin për paga”, tha Musliu-Shoshi.

Në mbledhje ishin edhe deputetet, Marigona Geci nga LDK dhe Albana Bytyqi nga AAK. Ndërsa, pesë deputetët e grupi parlamentar të LVV-së, Arjeta Fejza, Fatmire Kollçaku, Labinotë Demi, Drita Millaku, Nasuf Bejta, munguan në mbledhjen e këtij komisioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat