Ferati: Lista Serbe është gati për zgjedhje në koordinim me Vuçiqin – dorëheqja e kryetarëve do t’i kontribuonte normalizimit

Aktuale

Ferati: Lista Serbe është gati për zgjedhje në koordinim me Vuçiqin – dorëheqja e kryetarëve do t’i kontribuonte normalizimit

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 23:45
Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat veriore do të mund të mbahen vetëm atëherë kur ka një informacion të sigurtë se të gjithë qytetarët e asaj pjese do të dalin në zgjedhje.

Ferati tha se vetë deklarata e Listës Serbe, e bërë sipas tij në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tregon se situata ka ardhur në atë pikë se ata janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje.

“Tani, ne e kemi një dilemë se si dhe kur mund të organizohen ato zgjedhje, ku në rast se shkohet me shkarkimin e kryetarëve, atëherë ato zgjedhje nuk mund të mbahen këtë vit”.

“Nëse thuhet se nëse ka vullnet nga kryetarët aktual që ata të japin dorëheqje, atëherë mund të bisedohet për një datë të përafërt. Pra, tani kjo është dilema dhe sot nuk është deklaruar askush, as nga institucionet e Kosovës se cila do të jetë rruga”, tha Ferati në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se nëse diskutohet rruga e shkarkimit, atëherë ajo merr disa muaj, por sipas tij, nëse shkohet me dorëheqjen e kryetarëve aktual, zgjedhjet do të mund të mbaheshin brenda dy muajve.

“Për mua, më e pëlqyeshme do të ishte një mirëkuptim nga kryetarët ekzistues që të dorëhiqen dhe më pas organizimi i zgjedhjeve sepse e shkurton kohën deri në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, e që do t’i kontribuonte shumë normalizimit të situatës në atë pjesë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat