PE do të hedhë në votim rezolutën për Kosovën të enjten, grupet politike bëjnë thirrje për sanksionim të Serbisë

Aktuale

PE do të hedhë në votim rezolutën për Kosovën të enjten, grupet politike bëjnë thirrje për sanksionim të Serbisë

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Parlamenti Europian do të hedhë në votim rezolutën për Kosovën të enjten në procedurë të përshpejtuar.

Këtë e ka konfirmuar pzëdhënësja e Parlamentit Europian, Snjezana Kobescak, e cila tha se grupet politike do t’i kenë gati amendamentet për votim të mërkurën pasdite.“Votimi do të bëhet të enjten në orën 12.00. Propozimi i përbashkët i rezolutës që vjen nga të gjitha grupet politike, si dhe amendamentet për votim do të jenë të qasshme nga e mërkura pasdite. Për momentin, grupet politike kanë përgatitur propozimet e tyre të veçanta”, ka thënë ajo në përgjigje.

Deri më tani amendamentin për këtë rezolutë e ka publikuar grupi Renew Europe, i cili është një grup politik liberal, proeuropian në PE.

Ky grup politik ka përmendur ngjarjet që i paraprinë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Në njërën prej pikave, Renew thotë se “sulmi paraushtarak i koordinuar dhe i sofistikuar ndodhi në Banjska, në veri të Kosovës, ku u përfshinë dhjetëra paraushtarakë serbë të cilët i zunë pritë njësive të Policisë së Kosovës, duke çuar në vdekjen e një zyrtari policor të Kosovës dhe duke shkaktuar lëndime tek dy të tjerët; ndërsa grupi i armatosur më pas kërkoi strehim brenda Manastirit të Banjskës, duke rrezikuar pelegrinët dhe duke kërkuar ndërhyrjen e forcave speciale të Kosovës, që rezultoi në vdekjen e tre personave të armatosur dhe arrestimin e disa individëve”.

Po ashtu, Renew thotë se ky ishte një operacion i rëndësishëm dhe i koordinuar pas fakteve të prezantuara nga autoritetet e Kosovës derisa shumica e armëve të sekuestruara ishin prodhuar në Serbi dhe disa kishin kaluar nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe.

Grupi liberal proeuropian thotë se Milan Radoiçiq ishte ndërmjetësi kryesor i pushtetit në veri të Kosovës, aleat i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçi dhe duke qenë deri vonë nënkryetari i Listës Serbe, ka pranuar se ka organizuar dhe marrë pjesë në sulm.

Lirimi i Radoiçiqit dhe shpallja e zisë për tre terroristët e vrarë gjatë përleshjes me Policinë e Kosovës, si dhe vendosja e trupave shtesë në kufirin me Kosovën për Renew këto incidente kanë përkeqësuar jostabilitetin rajonal dhe kanë dëmtuar dialogun Serbi-Kosovë.

Mbi këto prova, Renew në amendamentet e publikuara i ka bërë thirrje Unionit që të përgatisë sanksione që shënjestrojnë ata që qëndrojnë prapa sulmit që la të vrarë policin Afrim Bunjaku.

“I bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj që të intensifikojnë punën e tyre me institucionet e Kosovës, Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe KFOR-in, për të hedhur dritë mbi të gjitha detajet rreth këtij sulmi dhe për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin, financimin dhe zbatimin e tij; u bën thirrje autoriteteve serbe që të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin në vazhdim; i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare të përgatisin sanksione të synuara kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjska, bazuar në gjetjet e hetimit”.

“Dënon ashpër sulmin e ndodhur më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë dhe shpreh solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre; Dënon trajtimin e këtij incidenti të rëndë të sigurisë nga autoritetet serbe, duke përfshirë vendosjen e trupave pranë kufirit me Kosovën, përpjekjet e tyre për destabilizimin e Kosovës, hezitimin e tyre për të bashkëpunuar në hetim, qëndrimin e tyre të butë ndaj organizatorëve dhe autorët e sulmit dhe retorika e përdorur nga liderët serbë gjatë kësaj krize; u bën thirrje autoriteteve serbe që të tërheqin plotësisht trupat dhe armët e tyre të rënda nga kufiri me Kosovën, në përputhje me marrëveshjet e kaluara; I bën thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të kryejnë vlerësime të rregullta të përbashkëta të sigurisë në veri të Kosovës për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për t’u fokusuar më shumë në rolin e rëndësishëm që luan krimi i organizuar në zhvillimet në atë rajon; mirëpret përforcimin e fundit të KFOR-it dhe u kërkon vendeve anëtare të NATO-s që të konsiderojnë forcimin e mëtejshëm të forcës paqeruajtëse; i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare që të rrisin edhe më tej njësitë e EULEX-it në terren, veçanërisht në veri të Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, të forcojnë përkohësisht rolin e saj si reagues i sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në amendament.

Si procedurë e radhës tani pritet që secili grup politik të paraqesë draftin e vet për rezolutë. Pas kësaj, do të caktohet një udhëheqës i cili do të koordinojë në arritjen e një kompromisi për amendamentet e rezolutës. Kur grupet të arrihet pajtimin për tekstin e përbashkët të rezolutës, atëherë do të hidhet në votim në seancën plenare të PE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat