Musliu: Me diskriminim në punësim, Serbia po synon largimin e shqiptarëve nga Bujanoci

Aktuale

Musliu: Me diskriminim në punësim, Serbia po synon largimin e shqiptarëve nga Bujanoci

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 18:58
Shqiprim Musliu

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi të premten ka organizuar një aksion simbolik para stacionit policor në Bujanoc, teksa kanë kërkuar respektim të neneve të Kushtetutës që parashohin punësim të pakicave.

Pakënaqësi rreth kësaj çështje, shprehi edhe Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu, duke e cilësuar si diskriminim të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve të kësaj komune.

“Shteti serb në vazhdimësi me centralizimin e tyre në institucione qendrore, po emëron drejtor serb dhe po shfrytëzon fuqinë e saj që përmes tyre të punësojë serb. Nëpërmjet këtyre aksioneve, kemi paraqitur pakënaqësitë tona në raport me shtetin që po na bën këtë diskriminim të drejtpërdrejtë dhe që po thyejnë edhe ligje. Serbia ka përpjekje në vazhdimësi që të punësojë individ të caktuar në këtë pjesë dhe të bëjë thyerje tek shqiptarët. Po ashtu, po centralizon drejtoritë, ambulancat në nivele lokale, po i merr të gjitha kompetencat duke shtuar ndikimin e tyre tek shqiptarët, ku epiqendër është Bujanoci dhe Presheva”, deklaroi Musliu në emisionin “Ditari”.

Veç kësaj, Musliu thotë se ka raste të shumta ku shqiptarët janë refuzuar me pretekstin se “kanë përcaktuar kandidat tjetër”.

“Mbi 20 vite është ky diskriminim i drejtpërdrejtë në organet shtetërore. Ka pasur shqiptar që kanë konkuruar, i kanë plotësuar kushtet, mirëpo janë refuzuar. Në vendimin e tyre thuhet “ju i plotësoni të gjitha kushtet, por ne jemi përcaktuar në kandidat tjetër”, potencoi tutje Musliu.

Madje, Musliu vlerësoi që Serbia ka për synim të ketë sa më pak shqiptar në qytetin e Bujanocit, në mënyrë që fuqia e tyre të jetë më e madhe.

“Qëllimi i Serbisë është që Bujanoci të ketë sa më pak shqiptar dhe fuqia e tyre të jetë më e madhe, po ashtu ta ndryshojnë demografinë e Bujanocit, duke e arritur atë njësoj si në Medvegjë. Po ashtu, ankesat e shqiptarëve merren parasysh, por përderisa kandidati tjetër i plotëson kushtet njëjtë, atëherë vendimi mbetet tek komisioni që formohet qoftë në Gjykatë, apo tek ambulanca lokale në qytetin e Bujanocit”, tha tutje ai.

Ndërkaq, Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit, të premten ka thënë se ndonëse ka kuadro profesionale, shqiptarët po përjashtohen dhe diskriminohen nga jeta institucionale në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat