“Ah, sikur...”, Vesa me këto fjalë emocionuese e përkujton babain e saj, Bekim Kastratin në 22 vjetorin e vrasjes

Aktuale

“Ah, sikur...”, Vesa me këto fjalë emocionuese e përkujton babain e saj, Bekim Kastratin në 22 vjetorin e vrasjes

Nga: N. Sh. Më: 19 tetor 2023 Në ora: 20:46
Vesa Kastrati tek varri i babait të saj Bekimi

Vesa, vajza e gazetarit Bekim Kastratit, e ka përkujtuar babain e saj me fjalë emocionuese në 22 vjetorin e vrasjes.

Gazetari i gazetës kombëtare “Bota sot”, së bashku me pjesëtarin e Gardës së Sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajakun u vranë në pabesi, gjatë një prite në Skenderaj.

Në këtë atentat mbeti i plagosur rëndë edhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Geci.

Vesa, në një shkrim në Facebook, e bashkë me shkrimin ka publikuar edhe dhjetëra fotografi, të Bekimit, thotë se, po e ndjen në zemër dhimbjen që ua shkaktuan ata që e vranë Bekimin.

“Ndoshta lutjet e mia nuk do të më dëgjohen, por saherë shoh fotografitë e babait tim e mallkoj me gjithë zemër dorën që e shkrepi këmbëzën”, shkruan ndër tjera Vesa.

Më poshtë shkrimi i plotë:

19.10.2001. Kjo datë shënon natën kur u vranë në pabesi babai im, Bekim Kastrati, gazetar i së famshmes “Bota Sot”, dhe Besim Dajaku, pjesëtar i Gardës së Sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova.

Babai im i dashur ishte jo vetëm i pashëm, i lexuar mirë e i inteligjent, por edhe i dashur, mirënjohës, dhe trim. Sa më shumë që rritem, aq më shumë e ndjej në zemër dhimbjen që na e shkaktuan ata; ata që ma vjedhën një jetë me babanë tim. Ndoshta lutjet e mia nuk do të më dëgjohen, por saherë shoh fotografitë e babait tim e mallkoj me gjithë zemër dorën që e shkrepi këmbëzën.

Fjalitë qe fillojnë me “Ah, sikur...” nuk kanë fund, e jeta nuk ndalet të më presë teksa unë mendoj për atë që mund të kishte qenë. I lexoj shkrimet e tij të bukura, dhe vëzhgoj bukurshkrimin e tij. Dhe prapë i mallkoj ata që e vranë para se t’më shkruante mua diçka të bukur. Dhe prapë krenohem me faktin që ai ndaloi së shkruari vetëm kur zemra i ndaloi së rrahuri.

Gjithçka që kam janë rrëfimet për të, fotografitë dhe letrat. Nuk janë shumë, por janë gjithçka që më kanë mbetur prej tij, andaj i çmoj pa masë. Shpresoj që të jetë duke na shikuar nga lartë mua dhe Erën, se si jemi rritë me të gjitha të mirat, si i duam pafund ata që na rritën si amanet të tij; si e duam njëra tjetrën dhe si e duam atë, si e çmojmë kujtimin e tij.

Sot, më shumë se kurrë më mbushet zemra me mall, krenari dhe dashuri për të, për veprën e tij; me melankoli për jetën me të që nuk e patëm kurrë, dhe mirënjohje pafund për jetën që na e dhuruan familja ime e mrekullueshme. Të gjithë lindim dhe vdesim, por të tillët si babi im lindin për të mos vdekur kurrë. Ai ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme, ka lënë punën, shkrimet e tij, na ka lënë ne vajzat e tij, nënën time, të gjithë familjen dhe shokët e tij, që do t’ia mbajmë gjallë kujtimin derisa të mos jemi më.

Jetoj me shpresë që të jem gjallë kur drejtësia të ndalojë së heshturi. Babin tim e përkujtojmë ma mall gjithë jetën, dhe ndonëse na ndanë nga ai nuk do ta na e shuajnë kurrë dashurinë për të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat