PDK paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për KPMSHCK-në

Aktuale

PDK paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për KPMSHCK-në

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 10:25
Foto ilustrim

Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, që u miratua në Kuvend ditë më parë, mund të përfundojë në kushtetuese. Nga PDK kanë thënë për Radio Kosovën se deri në fund të javës pritet ta dërgojnë këtë ligj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Edhe nga shoqëria civile besojnë se ligji në fjalë është jo-kushtetues.

Mes përplasjeve pozitë-opozitë u miratua në lexim të dytë Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Të enjten e 12 tetorit opozitarët kritikuan Qeverinë dhe kundërshtuan miratimin e këtij ligji duke thënë se i njëjti është antikushtetues dhe se nëpërmjet tij synohet të kapen institucionet shtetërore. Para votimit të ligjit në fjalë, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, paralajmëroi se në rast të miratimit, këtë ligj do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Mundësinë e dërgimit në Kushtetuese të ligjit që po kundërshtohet nga opozita, e ka konfirmuar për Radio Kosovën edhe koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda.

“Po do ta dërgojmë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi duke punuar në përgatitjen e lëndës. Këtë do ta bëjmë deri në fund të kësaj jave. Për këtë, mediet do të njoftohen me kohë”, ka thënë shkurt nëpërmjet telefonit Gruda. 

Edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se ligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil është në kundërshtim me Kushtetutën. Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, thotë për Radio Kosovën se me ligjin e ri synohet të minimizohet roli i KPMSHCK-së.

“Kushtetuta kur e përcakton sistemin e shërbimit civil thekson se, duhet të jetë një këshill i pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil që do të monitorojë dhe përkujdeset për zbatimin  e rregullave në fushën e shërbimit civil. Dhe në rastin konkret, kufizimi i këtyre kompetencave qartazi paraqet kundërshtim me nenin 101 të Kushtetutës”, tha ai.

Shala thotë se projektligji për KPMSHCK-në është në kundërshtim edhe me nenin që garanton barazinë para ligjit, dhe se ka edhe dobësi të tjera.

“Është edhe një absurd tjetër që ka ndodhur. Në projektligj thuhet se vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk do të zbatohen nëse ndaj vendimeve të tyre ka padi në gjykatë. Në rastin konkret ka përzierje të koncepteve bazë që kanë të bëjnë me procedurat administrative dhe atyre gjyqësore. Dhe, përfundimisht kjo e zhbënë thuajse rolin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës”, tha Shala.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPMSHCK-n u miratua me 59 vota pro dhe katër abstenime nga deputetët të shumicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat