Arsyetimi i Apelit për vërtetimin e pafajësisë ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqri Haxha

Aktuale

Arsyetimi i Apelit për vërtetimin e pafajësisë ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqri Haxha

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 17:10
Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit, më 9 tetor 2023, ka marr vendim me të cilin ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me ç’rast ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin Shyqri Haxha, ishte liruar nga akuza se kishte lidhur kontratë të dëmshme sa ishte kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).

Kundër këtij vendimi, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.

Prokuroria kishte propozuar që të anulohet aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorisë në rastin konkret ka pasur mjaftueshëm prova që Haxha të shpallet fajtor.

Mirëpo, Gjykata e Apelit pasi ka vlerësuar pretendimet e prokurorisë, ka gjetur se të njëjtat nuk janë të bazuara ngase aktgjykimi i ankimuar është i qartë dhe i kuptueshëm dhe si i tillë përmban arsye të mjaftueshme përkitazi me faktet relevante te kësaj çështje juridiko-penale.

Sipas Apelit, nuk është arritur që të vërtetohet se i akuzuari Shyqri Haxha të ketë kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, andaj edhe të njëjtin e ka liruar nga akuza.

“Ngase në veprimet e të akuzuarit nuk plotësohen elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Tutje, sipas Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike janë të pabazuara, pasi që  gjykata e shkallës së parë ka konstatuar drejt se nuk ka prova të mjaftueshme që i akuzuari të ketë kryer veprën penale për të cilën është akuzuar dhe se veprimet e të njëjtit nuk paraqesin vepër penale.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor para gjykatës së shkallës së parë, si provë materiale janë administruar Kontrata në mes PTK dhe AMDOCS Development Limited, me të cilën gjykata ka vërtetuar faktin se kjo kontratë është lidhur për kryerjen e shërbimeve të faturimit.

Si provë tjetër materiale, ndër tjera në këtë vendim thuhet se ka qenë edhe Shkresa nga ish- Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) lidhur me ndërprerjen e kontratës së Platformës së faturimit, me të cilin provë gjykata ka vërtetuar faktin se ish-MEF i ka kërkuar PTK-së ndërprerjen e kontratës së platformës së faturimit për arsye se PTK do të privatizohet.

Ndërsa, me provën materiale “Vendimi i datës 13 maj 2010, lidhur me mos vazhdimin e projekteve” gjykata ka konstatuar se është vendosur për mos vazhdimin e projekteve nga ana e PTK-së.

“Nga administrimi i provave nga ana e gjykatës së shkallës së parë e njëjta ka ardhur në përfundim se sipas Ligjit për Prokurim Publik i cili ishte në vitin 2010, në nenin 24 të Ligjit për Prokurim Publik “Zyrtari i Prokurimit i një autoriteti kontraktues është i vetmi person i autorizuar që të lidh ose të nënshkruaj një kontratë publike”, kontrata publike e nënshkruar nga kushdo përveç zyrtarit prokurues të autoritetit kontraktues është e pavlefshme dhe e pazbatueshme”, thuhet tutje në këtë vendim.

Mirëpo, bazuar në nenin 24.1 dhe 24.2 për qëllime ceremoniale është lënë mundësi që një zyrtar i lart publik që nuk është nëpunës civil të nënshkruaj kontratën në fjalë.

Ndërsa, në këtë vendim thuhet se i akuzuari Shyqri Haxha në shqyrtim gjyqësor kishte deklaruar se nënshkrimi i kontratës me “AMDOCS” nga ana e tij ka qenë vetëm nga aspekti ceremonial.

“Gjykata e shkallës së parë pasi ka vlerësuar të gjitha këto ka konstatuar se në veprimet e të akuzuarit Shyqri Haxha nuk konsumohen elementet e veprës penale si Lidhja e kontratës së dëmshme nga neni 237 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, ngase drejtor i prokurimit në kohën kur është nënshkruar kontrata ka qenë Fatmir Gjonbalaj”, thuhet tutje në këtë vendim.

Gjendjen e tillë faktike të vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë e ka aprovuar e Gjykata e Apelit si të drejtë dhe të ligjshme.

Ndryshe më 3 mars të këtij viti Themelorja kishte liruar nga akuza për korrupsion Shyqri Haxhën ish-kryeshefin e PTK-së.

Në seancën e fundit, në fjalën përfundimtare, i akuzuari  Haxha kishte deklaruar se ndaj tij është bërë përndjekje politike pa asnjë shkelje.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat