Kosova duhet ta ketë planin e vet për Asociacionin

Aktuale

Kosova duhet ta ketë planin e vet për Asociacionin

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 22:14
Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës gjatë mandatit 2006-2010, Fatmir Sejdiu, thotë se Kosova duhet ta ketë një plan të vetin, për ta formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sejdiu, thotë se Asociacioni duhet të jetë si një mekanizëm ndihmës, ashtu siç e ka paraparë pakoja e Ahtisaarit, jo në nivele të tjera që do të nënkuptonin kryerjen e funksioneve ekzekutive.

“Asociacioni ka qenë një tip ‘mollë sherri’, në mënyrën se si janë filluar interpretimet e qëllimit të formimit si një mekanizëm ndihmës i Ahtisaarit”, tha ai.

Në Planin e Ahtisaarit, theksoi Sejdiu, është paraparë asociacioni, por i cili në asnjë formë në nivele të tjera, të cilat do të nënkuptonin kryerje të funksioneve ekzekutive apo përfaqësuese.

“Pala kosovare duhet të ketë projektin e vetë, një projekt që bazohet në ato parime, ato parime lidhen prej karakterit të Asociacionit, pra një mekanizëm që është ndihmës sikur që është për komunat me shumicë shqiptare në pjesë tjera të Kosovës dhe të bëhet në një formë që nuk ka pretendime, thjeshtë të kapërcejë dhe të bëhet një model, i cili është praktikisht është i papërputhshëm me vetë Kushtetutën e Kosovës, sepse kemi nga ato marrëveshjet e mëhershme edhe reagimet e Gjykatës Kushtetuese edhe ajo duhet të përfillet”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu, i cili ishte edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerëson se mund të formohet Asociacioni, pa e marrë karakterin e ekzekutivit.

“Tash unë shoh edhe ide që duhet të ndërrohet Kushtetuta për të bërë diçka tjetër, që absolutisht është e pa kuptimtë. Nuk mund të ndërrohet Kushtetuta nga ajo që ka qenë një investim i përbashkët, përveç projektit të Ahtisaarit që i ka dhënë parimet themelore, ka qenë një investim me faktorët ndërkombëtarë për të bërë edhe gjithë revolucionin e mëvonshëm, i cili ka të bëjë me fusha të ndryshme, por edhe me vetë Asociacionin, pra si një pjesë e përputhshme – një mekanizëm i nevojshëm ndihmëtarë, asgjë më tepër nga ajo çfarë është parashikuar. Mbase, mund të jetë në pjesën e sqarimeve të plota në pikat themelore që mund të jenë objekt i angazhimit të drejtpërdrejtë të Asociacionit, pra pa e marrë karakterin, atë që quhet ekzekutiv apo përfaqësues, sepse tendenca themelore është kjo”, shtoi ai.

Sejdiu ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku sipas tij, njohja de-facto e Kosovës është esenciale për zbutjen e agresivitetit që ka Serbia.

“Unë them se është esenciale njohja e Kosovës de-facto, si një shkallë e rëndësishme e zbutjes së atij agresiviteti që Serbia e ka pas dhe e ka edhe në të ardhmen, dhe mos të lejohet asnjëherë një interpretim i formës tjetër, i cili do të rrezikonte rikthimin në një situatë prapë të tillë, kur nuk do të del asgjë nga marrëveshja sikur që ishin thjeshtë këto hezitimet për Marrëveshjen e Ohrit”, u shpreh Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat