​Komisioni miraton në parim Projektligjin për burimet e ripërtërishme të energjisë

Aktuale

​Komisioni miraton në parim Projektligjin për burimet e ripërtërishme të energjisë

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 15:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se nga Ligji për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë do të kenë përfitime sektori privat. Sipas saj, të gjithë ndërmarrjet do të trajtohen barabartë dhe se skemat mbështetëse do të ofrohen përmes një ofertimi konkurrues. Kështu u shpreh ajo para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku ky projektligj është miratuar në parim nga anëtarët e komisionit.

Paraprakisht në mungesë kuorumi ka dështuar ky komision, meqë deputetët e opozitës, Pal Lekaj, Valentina Bunjaku e Ferat Shala nuk e kanë votuar rendin e ditës. Por, shqyrtimi i këtij projektligji ka vijuar pas ardhjes së deputetëve të tjerë të shumicës parlamentare.

Ministrja Rizvanolli tha se ky ligj i përcakton parimet dhe objektivat e politikave për burimet e ripërtërishme të energjisë.

Rizvanolli: Ky ligj sjell përfitime për sektorin privat

"Ky ligj do të sjell përfitime për sektorin privat, përmes koncepteve të reja të përfshirjes së konsumatorëve në sektorin e energjisë dhe përmes përcaktimit se të gjitha procedurat duhet të bëhen në mënyrë konkurruese. Në këtë mënyrë, të gjitha ndërmarrjet trajtohen barabartë dhe ne përfitojmë nga konkurrenca mes tyre, e cila sjell çmime më të ultë dhe kosto më të përballueshme për qytetarët. Teknologjitë që mund të përfitojnë nga skemat mbështetëse janë teknologjitë e energjisë nga era, panelet solare, biomasa, biogazi, energjia gjeotermale, impiantet e koorgjenerimit dhe teknologjitë inovative. Skemat mbështetëse tani e pas kësaj do të jepen vetëm përmes një procesi të ofertimit konkurrues. Energjia elektrike e prodhuar nga prodhuesit i privilegjuar, do të thotë prodhuesi i cili përfiton nga skema e mbështetjes, i garantohet qasje transparente dhe jo-diskriminuese në rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes”, deklaroi ajo.

Rizvanolli shtoi se prodhuesit e privilegjuar përzgjedhin përmes procesit të ofertimit konkurrues.

Para anëtarëve të këtij komisioni, ajo shtoi se ligji parasheh edhe mbështetjen e teknologjive inovative.

Rizvanolli: Kompanitë mund të konkurrojnë për të përfituar nga skemat mbështetëse

"Një kapërcim i madh cilësor që bëhet me këtë ligj është që kompanitë që mund të konkurrojnë për të përfituar nga skemat mbështetëse duhet të sigurohemi që kanë përvojë në ndërtim të impianteve, me teknologji dhe kapacitet të ngjashëm apo të përafërt dhe të kenë aftësi për realizimin e investimit në afatin e paraparë. Në këtë mënyrë sigurohemi që projektet e mëdha kapitale nuk dështojnë dhe që përzgjedhim ofertues të përgjegjshëm dhe që i kanë kapacitetet e duhura edhe teknike edhe financiare për të realizuar investimin. Ky ligj po ashtu përveç investimeve private mundëson edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga BRrE-të me investime publike apo bashkë-investime publiko-private. Në toka publike domosdo, ndërtimi i kapaciteteve të reja bazohet në procesin e ofertimit konkurrues apo me pëlqimin e ministrisë”, shtoi ajo.

Ministrja Rizvanolli u shpreh se procedurat për amvisëri thjeshtëzohen dhe se aplikuesit mund të marrin përgjigje brenda 30 ditëve.

Deputeti i vetëm nga opozita, Ferat Shala tha se nuk pajtohet me emërtimin e këtij ligji. Kryetari i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që të rishikohet fjala “promovim”.

Shala: Emërtimi duhet të rishikohet

Fjala kyçe është promovim, në këtë rast nuk po bëni vetëm promovim por për hartoni politika, metodologji dhe praktika, teknologji dhe shumëçka tjetër. Dhe ndoshta më së paku ka promovim dhe unë po konsideroj që po i humb esenca e materies çfarë realisht po trajtoni, duke i dhënë komplet ligjit emrin ‘promovim’ të saj. Në esencë kur e sheh ligjin dhe i lexon nenet, më së paku ka promovim këtu. Ka hartim të politikave, ka koordinim të institucioneve. Gjithçka tjetër por unë mendoj që fjala promovim duhet të rishikohet, përndryshe ligji në shikim të parë e merr kuptimin e një ligji të marketingut dhe të promovimit”, u shpreh ai.

E deputetja e shumicës parlamentare, Jeta Statovci kërkoi informacione për zgjerimin e rrjetit dhe kërkesave për investime.

Statovci: Në çfarë ritmi janë duke u realizuar investimet?

Nëse keni informacion në kuadër të investimeve në rrjet që këto kapacitete të reja që vijnë nga BRrE-të të kenë mundësi të integrohen. Sepse edhe në komunikim me palët ne po shohim që po ka raste ku në këtë rast nga operatori i distribucionit po refuzohen palët për aplikim në mënyrë që të merret pëlqimi për t’i bërë këto investime, nën arsyen e kapaciteteve të rrjetit. Si politikë e sektorit, në qoftë se keni informata se në çfarë ritmi janë duke u realizuar investimet apo nëse po punohet në atë drejtim që në këto investime që po bëjnë dhe po duan të bëjnë palët të kenë mundësi të integrohen edhe në sistem”, deklaroi ajo.

Rizvanolli tha se në tërë rajonin ka një numër të madh të investitorëve të cilët synojnë të sigurojnë toka dhe marrëveshje për kyçe. Ajo shtoi se kërkesat që janë për kyçje janë shumëfish më të larta se kapacitet e rrjetit.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe raporti për Ligjin për Parqet Industriale dhe Teknologjike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat