Rexhaj: Pas sulmit terrorist në Banjskë, topi është në anën e Kosovës

Aktuale

Rexhaj: Pas sulmit terrorist në Banjskë, topi është në anën e Kosovës

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 21:38
Arbër Rexhaj

Arbër Rexhaj, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se pas sulmit në Banjskë, “topi” është në anën e Kosovës.

Në emisionin “Debat Plus”, Rexhaj ka thënë se faktet e sistemit të sigurisë janë të mjaftueshme për të argumentuar ndërlidhjen e Serbisë me aktin terrorist.

“Akti i agresionit ku rezultoi me vrasjen e një polici dhe një të lënduari tjetër tregon realisht për karakterin shovenist të Serbisë. Përmes fakteve dhe argumenteve sistemi i sigurisë komplet dhe pothuajse të gjitha institucionet e Republikës përkatëse e kanë argumentuar mjaftueshëm ndërlidhjen e Serbisë me këtë akt terrorist. Tash topi në formë figurative është në anën e Kosovës në kuptimin e asaj që Serbia përdor mjete të cilat mund të quhen mjete nën brez për arsye se kur dy palët dialogojnë në tavolinë, pala tjetër jo natyrshëm përdor një element tjetër që quhet ai i terrorizmit dhe e sulmon Kosovës”, ka thënë Rexhaj.

Ai theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nxjerrë në pah një sekret shtetëror, teksa ka potencuar se sulmi ishte në plan të vazhdonte edhe në pika të tjera.

“Kryeministri i Kosovës e ka nxjerr para ca ditëve në pah një sekret shtetëror, pra sulmi nuk ka pasur të ndalej vetëm në Banjskë ka pasur të zhvillohet edhe në 30 e ca pika tjera të sulmohen stacionet tjera policore dhe ndërkohë përmes atij sulmi të arrihet deri në urën e Lumit Ibër”.

Po ashtu ai thekson se armatimi i përdorur në sulm, tregon drejtpërdrejt ndërlidhjen e shtetit serb me këtë sulm.

“Armatimi që është zënë aty është i vitit 2021, nuk mund të gjendet në tregun e lirë, e thotë edhe raporti. Armatimi është saktësuar se ku është prodhuar, në fabrikat në Serbi. Personat që kanë qenë pjesëmarrës ishin në dy grupe, serbë lokalë,  dhe ata të maskuar që kanë qenë drejtpërdrejt prej Beogradit”.

Rexhaj vlerëson se institucionet kanë reaguar në mënyrë profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat