FSK e gatshme për sulme të mundshme, partnerët ndërkombëtarë mbështesin ushtrinë

Aktuale

FSK e gatshme për sulme të mundshme, partnerët ndërkombëtarë mbështesin ushtrinë

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka mbledhur partnerët e saj në konferencën vjetore "FSK dhe partnerët 2023" e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të realizuar planet me partnerët në vazhdim.

Ministri Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha FSK-ja janë të përcaktuar të rrisin bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë, duke shtuar se roli i partnerëve është tejet i rëndësishëm sa i përket sigurisë për të cilën do t’i ndajnë së bashku sfidat, më qëllim të interesave të tyre të përbashkëta.

Maqedonci ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe tha se si rezultati i bashkëpunimit me partnerët, sulmi terrorist nuk pati sukses në Banjskë.

“Duke iu falënderuar Policisë së Kosovës dhe profesionalizmit të jashtëzakonshëm, si dhe koordinimit të mirë me partnerët, ky sulm flagrant nuk pati sukses. Sido qoftë ne jemi ende të vetëdijshëm se kërcënimi ende ekziston përderisa Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovën. Dhe përderisa Serbia vazhdon të ketë qasje homogjeniste me fqinjët e saj, Kosova nuk do të jetë kërcënuese për askënd, mirëpo ne jemi të përgatitur të jemi miq të të gjithëve”, theksoi ai.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari tha se FSK-ja nuk do te ishte këtu nëse nuk do kishte mbështetjen nga vendet aleatë me trajnime ushtarake.

Jashari tha se së bashku me ministrin e Mbrojtës kanë një bashkëpunim të rregullt dhe sipas tij, rasti i fundit më Banjskë është mesazh që FSK-ja duhet të jetë gjithmonë e gatshme.

“Kërkoj nga ju mbështetje, sepse duke u stërvitur dhe aftësuar së bashku ne rrisim gatishmërinë e vendeve tona ndaj kërcënimeve në rritje të sigurisë. Jam i sigurt që ju si përfaqësues ushtarak jeni të informuar për rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës. FSK së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Rasti i sulmit të fundit si zhvillim i sigurisë në botë, janë të tregues të qartë që FSK duhet të jetë çdo herë e gatshme të kryej misionin e saj Kushtetues dhe ligjor”, theksoi ai.

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha se janë të gatshëm të mbështesin një forcë shumë etnike ushtarake për Kosovën. Ai tha se ShBA ka dhënë ndihmë mbi 23 milionë FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Hovenier u shpreh se e mbështesin rrugën e Kosovës drejt Aleancës..., por tha se duhet shumë punë për të bërë.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili tha se kjo konferencë tregon përkushtimin e madh të Kosovës dhe se Turqia është shumë e interesuar që të arrijë lidhje të përbashkëta të mbrojtjes për të forcuar sigurinë në rajon.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde tha se Gjermania vazhdon te jetë partner i besueshëm i Kosovës dhe për këtë arsye do të vazhdojë bashkëpunimin me ushtrime të përbashkëta dhe t’i bashkohen partnerëve që Kosova të jetë pjesë e NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat