​AAK prezanton rezolutën për ngritjen e koeficientit të pagave

Aktuale

​AAK prezanton rezolutën për ngritjen e koeficientit të pagave

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:28
Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për rezolutës po kërkon që nga janari i vitit të ardhshëm të hyjë në fuqi, vlera e koeficientit të pagave prej 129 euro. Gjatë seancës së jashtëzakonshme, shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri kërkoi nga qeveria që në ndarjet buxhetore për vitin 2024 të propozohet buxheti i nevojshëm për këto ndryshime.

Tahiri tha se edhe para votimit të Ligjit të Pagave, kanë kërkuar që të debatojnë rreth rritjes së pagave në sektorin publik.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që në ndarjet buxhetore për vitin 2024 të propozojë buxhetin e nevojshëm, ashtu që vlera e koeficientit të pagave nga 105 euro sa është për vitin 2023, për vitin fiskal 2024 të ngritet në 129 euro. Dhe të bëhen përgatitjet e nevojshme që ky ndryshim të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2024”, deklaroi ai.

Teksa ka kritikuar shumicën parlamentare, e cila nuk po merr pjesë as në këtë debat parlamentar, Tahiri tha se logjika e tyre është për keqardhje.

“Me të vërtetë është për keqardhje, jo vetëm për keqardhje por tregon edhe për një logjikë tepër të mbrapsht të GP të LVV-së, të disa se disa janë këtu. Sepse jemi dakorduar dhe kemi folur për këtë temë dhe jam munduar ta gjej një konsensus edhe te opozita dhe pozita, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave bazohet tek gjendja e përgjithshme sociale dhe ekonomike në vend e cila është shumë e vështirë dhe se dita ditës po shënon përkeqësim të situatës. Qeveria nuk ka arritur që as përmes politikave sociale, as përmes politikave publike financiare dhe investuese të adresojë rritjen e inflacionit që raportohet deri në 20 për qind. Kur ky inflacion sipas ASK-së shoqërohet me rritje të lartë të çmimeve në të gjitha artikujt ushqimor bazik, disa prej 70 deri në 100 për qind, kemi të bëjmë me një situatë alarmante të rritjes së çmimeve”, tha ai.

Tutje, Tahiri shtoi se gjatë mandatit të kësaj qeverisje kanë propozuar masa specifike. Sipas tij, në vend është përhapur varfëria sociale dhe janë targetuar edhe rreth 80 mijë shërbyes civilë.

Gjatë debatit parlamentar, ai theksoi se Ligji i Pagave u miratua pa ndonjë referencë dhe vlerësim të tregut të punës.

“Sot në administratën e shtetit është një katrahurë, është një parregullsi në të gjitha nivelet e menaxhimit. Pavarësisht faktit që Ligji i Pagave pritet të merr një epilog të drejt në Gjykatën Kushtetuese, deri në atë moment konsiderojmë që është i një rëndësie të veçantë dhe primare që qeveria, Ministria e Financave, para se ta sjell buxhetin për vitin 2024 të zotohet në rritjen e koeficientit që respektivisht do të ndikonte në rritjen e drejtpërdrejt në rritjen e pagës”, shtoi Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kanë bërë një vlerësim dhe ka kërkuar që të rritet koeficienti nga 105 në 120, e cila siç tha ai, nënkupton rritje të fondit vjetor të pagave prej 23 për qind.

“Ne propozojmë që kjo shumë buxhetore të merret nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve e, të cilën për këtë vit qeveria e ka rritur në 493 milionë dhe për të cilën nuk e ka shfrytëzuar në raport me vitin 2022, e cila ka qenë 330 milionë. Pra, një shumë prej 163 milionë euro do të merrej drejtpërdrejt nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve dhe pa e prekur parimet bazë dhe themelore të buxhetit do të ruhej rregulla fiskale, stabiliteti buxhetor dhe qëndrueshmëria fiskale”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat