Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve

Aktuale

Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve

Më: 29 tetor 2023 Në ora: 12:58
Pensionistët

Përkundër rritjes së shkallës së inflacionit në Kosovë viteve të fundit, pensionet nuk janë rritur fare. Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve dhe respektimin e normës ligjore që parasheh rritje të shumës së pensionit, në përqindjen e njëjtë me atë të inflacionit. Nga Qeveria nuk kanë treguar nëse planifikojnë rritjen e pensioneve.

Hasan Aliu, nga Prishtina, është në të 70-at e tij. Ai tregon për Radio Kosovën se ndonëse ka punuar për vite të tëra, para e pas luftës, aktualisht merr vetëm 100 euro pension, të cilat nuk po i mjaftojnë.

“Çmimet janë rrit shumë e pensionet hiq. Nuk është mirë që pensionet s’po rriten kurrë. Më nevojtarët janë pensionistët. Pensioni që kam nuk po më mjafton. S’po del as për ilaçe”, tha ai.

Pensionin më të lartë se të Hasanit e ka Sadik Jashanica, i cili që në rini nisi punën në Korporatën Energjetike, ku punoi deri në pension.

“Kur dola në pension më thanë ke për t’i marrë 198 euro. Marrja e Zotit. Punon 45 vjet, për 200 euro. Por, çka kemi të bëjmë?! Të moçmit kishin pas thënë: kur s’ka shi, edhe breshëri i mirë është. Po e shtyjmë. Kujt i bie ndërmend për pensionistë?! Askujt!. Jetoj vetëm me të shoqen, e pensioni herë na mjafton e herë jo, se po duhet të hamë dhe të pimë, por edhe barna me ble”, tha ai.    

Këta dy pensionistë thonë se pas ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore e jo vetëm, ngritja e pensioneve është domosdoshmëri.

“Harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës bëhet një herë në vit duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në Indeksin e Kostos së jetesës të vitit paraprak”, thuhet në nenin 14, të Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.

Por, kjo normë nuk po respektohet prej vitesh, thotë kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, i cili kërkon respektimin e ligjit.  

“Qeveria e ka obligim të bëjë vlerësimin e indeksit të inflacionit dhe në bazë të saj t’i rrisë pensionet në vitin që pason. Këta nuk e kanë bërë një gjë të tillë, tani po bëhen pesë vite. Do me thënë na kanë privuar nga e drejta jonë, duke na mohuar atë që na takon dhe e meritojmë në bazë të punës që kemi bërë”, tha Gashi.

Radio Kosova ka pyetur Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, Punës e Transfereve, nëse kanë në plan të rrisin vlerën e pensioneve gjatë vitit 2024 dhe sa mund të jetë rritja, por, përkundër interesimit dhe pritjes disa ditore, këto dy institucione nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat