63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve janë raportuar për 10 muaj në AGK

Aktuale

63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve janë raportuar për 10 muaj në AGK

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 09:52
Foto ilustrim

Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë raportuar gjithsej 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave që nga janari e deri në fund të muajit tetor të këtij viti .

Në këto 63 raste të raportuara, 30 raste janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve në veriun e vendit, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene e raportime të tjera të ndryshme.

️Sipas të dhënave që posedon AGK-ja, vetëm për katër (4), prej rasteve të raportuar në organizatë dhe Policinë e Kosovës, ka filluar procedurë gjyqësore, ku sulmuesit/ve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Komunat që prijnë me më së shumti raste të sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara janë Prishtina me 22 raste, Zveçani dhe Leposaviqi me nga 13 raste. Teksa, komunat e tjera që janë raportuar rastet janë: Gjakova - 2 raste, Prizreni - 4 raste, Mitrovicë e Veriut - 1 rast, Fushë Kosova - 1 rast, Shtime - 3 raste, Kamenica -1 rast dhe Zubin Potoku - 2 raste.

Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së ndëshkimit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nesër më 2 Nëntor – Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, do ta shënojë nëpërmjet një kampanje online duke publikuar qëndrimet e ambasadorëve, partnerëve, kolegëve gazetarë, si dhe juristëve të medias.

Njëherësh, në kuadër të platformës rajonale, Safe Journalists, AGK-ja së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojë nga kolegët që të raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre në institucionet kompetente.

Gjithashtu, nesër, 2 nëntor me fillim nga ora 17:00, në Kino Armata, në bashkëpunim me British Embassy Pristina - do të shfaqet dokumentari “Lyra”, për jetën, veprën dhe vrasjen e gazetares, Lyra McKee.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat