Çeku për djegien e monumentit në Mitrovicë: Gjest barbar, pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve

Aktuale

Çeku për djegien e monumentit në Mitrovicë: Gjest barbar, pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 15:24
Hajrulla Çeku

Të martën në mbrëmje është përfshirë nga flakët shtëpia e familjes Koroglu në Mitrovicë, që konsiderohet si një prej monumenteve më të vjetra të Trashëgimisë Kulturorë dhe historike në këtë qytet.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku sot ka reaguar për ngjarjen, duke thënë se barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre

“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë.

Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX”, shkruan ministri.

Çeku më tej thotë se shtëpia do të restaurohet dhe se pret kapjen e ndëshkimin e kriminelëve.

“Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën. Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur kodi penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.

Betejën mes barbarizmit dhe kulturës pa dyshim se do ta fitojë kultura”, shkruan ministri i Kulturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat