​Osmani e Kurti zotohen për luftimin e diskriminimit racor në Kosovë

Aktuale

​Osmani e Kurti zotohen për luftimin e diskriminimit racor në Kosovë

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 17:13
Foto nga takimi

Krerët institucionalë janë zotuar për të luftuar diskriminimin racor në Kosovë, në hapjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor të mërkurën.

Presidentja Vjosa Osmani tha se ky samit është platforma e duhur kundër diskriminimit racor dhe lirive të barabarta të secilit qytetarë.

Osmani: Ky samit është platforma e duhur kundër diskriminimit

“Është platformë e duhur për të ngritur zërin tonë kundër diskriminimit të çfarëdo lloji, por të njëjtën kohë edhe për të ri-forcuar përkushtimin tonë institucional kundër diskriminimit racor në veçanti. Njohja e dinjitetit të lindur njerëzor të të drejtave dhe lirive të barabarta dhe të patjetërsueshme sublimohet më së miri në deklaratën universale për të drejtat e njeriut qysh nga viti 1948. Andaj në këtë linjë duhet të ecim vazhdimisht pasi ky është drejtimi që garanton barazi, gjithëpërfshirje dhe respekt të ndërsjellë. Gjithëpërfshirja, respekti dhe dialogu janë parakusht për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë”, tha ajo.

Përkushtim për luftim të kësaj dukurie negative ofroi edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti: Jemi të përkushtuar për të mos lejuar diskriminimin racor

“Jemi sot këtu me përkushtimin për të mos lejuar që diskriminimi të rrezikojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Pabarazia dhe diskriminimi shfaqen në forma të ndryshme...Për të luftuar këto dhe forma të tjera të pabarazisë, ne jemi këtu sot dhe do të flasim nesër dhe çdo ditë. Për të mbështetur shkollimin kemi investuar 200 mijë euro si qeveri në qendrat mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe po ofrojmë 500 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme”, tha ai.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës, ambasador i Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs, përgëzoi ekzekutivin për zotimin që të adresojë çështjen e diskriminimit racor, veçmas në komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian.

Fuchs: Përgëzoj qeverinë për zotimin e saj që të adresojë diskriminimin racor

“Kemi përqindje të lartë të papunësisë kemi kushte shumë të këqija të banimit për ta po ashtu edhe shërbime të dobëta, sidomos për gratë që i përkasin këtij komuniteti janë subjekt i diskriminimit të shumëfishtë, po ashtu dhuna në familje është shumë e përhapur te këto komunitete sesa të tjerat. Dua të përgëzoj qeverinë për zotimin e saj që të adresojë diskriminimin racor”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, Isak Skenderi, tha se tani është koha ta pranojmë se diskriminimi racor nuk është problem i pakicave por një problem shoqëror.

Skenderi: Diskriminimi racor problem shoqëror

“Kjo formë e fshehtë e racizmit vazhdon të eksitojnë në shoqëritë tona për shkak të mungesës së kuptimit të historisë dhe kulturës së këtyre komuniteteve. Është koha të pranojmë se kjo nuk është problem i këtyre pakicave, por një problem shoqëror që kërkon vëmendjen dhe veprimin tonë”, theksoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat