Istrefi: Draft-statuti i Asociacionit duhet të vlerësohet me shumë kujdes

Aktuale

Istrefi: Draft-statuti i Asociacionit duhet të vlerësohet me shumë kujdes

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 23:51
Kushtrim Istrefi

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Utrehtit në Holandë, Kushtrim Istrefi ka thënë se takimi i 26 tetorit në Bruksel i kancelarit gjerman, Scholz, presidentit francez Macron dhe kryeministres italiane Meloni me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq ka qenë formë e shtensionimit jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndërmjet raporteve të Kosovës me ndërmjetësuesit Borrell e Lajçak.

“Diskutimi që mbahet në Bruksel nuk mund të shihet si një diskutim me një lehtësues që mund të ketë qëndrime ndoshta edhe të njëanshme në tema të caktuara, por si një proces i cili mbështetet tërësisht nga aleatët kryesor të Kosovës. Është pozitive që Kosova ka marrë një qasje konstruktive në këtë rast në raport me BE-në sa i përket Asociacionit dhe ky mendoj se është hap pozitiv”, ka theksuar Istrefi në një lidhje direkte në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK.

Megjithatë, ajo ka thënë se  çështja se si do të duket Asociacioni është ende e paqartë dhe se është ende herët të konstatohet nëse draft statuti i tij do të jetë ose jo në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

“Për këtë duhet të pritet, ai draft duhet të publikohet, duhet të merren mendimet e ekspertëve të jashtëm dhe në fund sigurisht të kërkohet edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vlerësim të tillë. Duhet të merret me shumë kujdes dhe të vlerësohet me shumë kujdes ky draft i ri i Asociacionit, pasi e kemi pasur një histori jo të mirë me pajtimet me draftet e caktuara në të kaluarën”, ka shtuar Istrefi.

Ai tutje ka bërë të ditur se ka qenë këshilltar i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Asociacionit në vitin 2015 dhe në atë kohë është menduar që ai draft ka qenë në përputhshmëri, por që ka  dalë se nuk ishte fare në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit.

“Tani besoj se nuk do të jetë rasti i tillë, pra nuk do të jetë aq hapur në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke ditur edhe historinë dhe kritikat që janë hapur në këtë drejtim. Por, mendoj se është e hershme të jepet një konstatim nëse është apo jo në përputhshmëri me kushtetutën”, ka nënvizuar Istrefi.

Duke folur rreth asaj se çfarë nënkupton njohja de-facto nga ana e Serbisë, ai ka thënë se këtu kemi të bëjmë me pranim të një marrëveshje, që realisht ka të bëjë me një pranim de-jure të shtetësisë së Kosovës, por që ka vështirësi politike që ta thotë atë.

“Pra, de-facto është se Serbia ta pranojë shtetësinë e Kosovës dhe atributet e saj në nivel ndërkombëtar, pra të mos bëjë pengesë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, t’i njoh të gjitha simbolet dhe atributet shtetërore të saj. Kjo është njohje de-jure në kuptim të shtetësisë së Kosovës, por që realizimi i saj të mos bëhet me një akt të veçantë juridik që është notë verbale e njohjes, por të bëhet në mënyrë të heshtur, duke mos ndërmarrë veprime të brendshme juridike”, ka theksuar Istrefi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat