​Investimi në infrastrukturë themel për një të ardhme më të qëndrueshme

Aktuale

​Investimi në infrastrukturë themel për një të ardhme më të qëndrueshme

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 13:03
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në konferencën parlamentare ndërkombëtare “E ardhmja e transportit” e organizuar nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, u diskutua për rëndësinë e investimit në infrastrukturë për rritjen ekonomike dhe prosperitetit të një vendi. Derisa u potencua se Kosova nuk është larg kërcënimit të ndryshimeve klimatike, për çka u tha se po punohet në reduktimin e karbonit, për një mjedis sa më të gjelbër.

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se me përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, mund krijohet më shumë mundësi për punë, si dhe tërheqje të më mëdha të investimeve.

Aliu potencoi se kjo është edhe arsyeja pse janë dedikuar në projektet e infrastrukturës dhe legjislacionit për transport.

Aliu: Investimi në infrastrukturë është themeli i rritjes ekonomike

"Investimi në infrastrukturë është themeli i rritjes ekonomike dhe prosperitetit të vendit tonë, duke i kanalizuar resurset për të përmirësuar rrugë tona, urat tona dhe rrjetet digjitale. Nuk jemi duke bërë vetëm këtë ndërlidhshmëri, por do të kemi edhe inovacione më shumë. Këto investime janë themel për një të ardhme më të qëndrueshme duke siguruar cilësi të jetesës për të gjithë qytetarët tanë. Me përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, mund krijojmë më shumë mundësi për punë dhe të tërheqim më shumë investime. Kjo është arsyeja pse jemi dedikuar projekteve të infrastrukturës dhe legjislacionit për transport...Kosova është pjesë e korridorit 10, i cili do ndërlidhë Strasburgun, Austrinë me Selanikun dhe Greqinë përmes Maqedonisë dhe Serbisë. Dhe finalizimi i kësaj hekurudhe e cila do të përmirësojë ndër lidhshmërinë e Kosovës me tërë rajonin. Dhe autostrada Durrës-Tiranë-Prishtinë, do të bëj lidhshmërinë më të mirë për portin e Durrësit në Shqipëri", tha ai.

Ndër të tjera, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se qeveria dëshiron që ta zhvillojë rrjetin e hekurudhave ‘për të përmirësuar sigurinë në rrugë’.

Ndërsa, kryetarja e komisionit parlamentar, Fitore Pacolli-Dalipi potencoi se po punohet intensivisht në reduktimin e karbonit për ta bërë Kosovën ‘një vend të qëndrueshëm për ballafaqimin me ndryshimet klimatike’.

Pacolli Dalipi theksoi rëndësinë e partneriteti dhe dialogut, për hapjen e mundësive të reja, siç tha ajo drejt së ardhmes pa karbon dhe emetim të gazrave.

Pacolli-Dalipi: Transporti prodhon më shumë se 1/4 të gazrave serrë

"Ndryshimet klimatike të ndryshme, kemi qenë dëshmitar dhe jemi interesuar, dhe punojmë intensivisht në mënyrë që të reduktojmë reduktimin e karbonit dhe të bëjmë Kosovën një vend të qëndrueshëm i cili është i gatshëm për të u ballafaquar më të gjitha sfidat që dalin nga këto ndryshimet klimatike. Dekarbonizmi, procesi i eliminimit të karbonit dhe agjenda e gjelbër e cila kërkon masa të gjelbërta. janë dy koncepte të ndërlidhura të cilat do të na ofrojnë një rrugëtim drejt së ardhmes...Transporti ka më shumë se 1/4 prodhim, prodhon më shumë se 1/4 të Gazrave Serrë, sektori i transportit në mënyrë më të gjelbër do të krijojë një të ardhme më të mirë për të gjithë...konferenca si kjo do të ofrojë një platformë ideale për të pasur një bashkëpunim ndërmjet parlamenteve...Duke pasur partneritet dhe dialog ne mund t'i hapim mundësitë e reja dhe t’i shkojmë drejt së ardhmes pa karbon dhe emetim të gazrave", tha Pacolli Dalipi.

Ndërkaq, drejtori i FES-it në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Peter Hurrelbrink theksoi vështirësitë e transportit kur udhëton nga Sarajeva në Prishtinë, derisa tha se Prishtinë është një shembull i trafikut të ngarkuar.

Hurrelbrink: Prishtina është një shembull i trafikut të ngarkuar

"Lidhur me të ardhmen e transportit patjetër, unë kam udhëtuar nga Sarajeva në Prishtinë disa herë gjatë muajve të kaluar dhe e di për problemet, është një udhëtim i mirë nga Mali i Zi me veturë, por problemi është kur udhëton 10 orë....Është e qartë se ndërlidhshmëria është një aspekt krucial për zhvillimin e rajonit dhe integrimin në kontekstin më të gjerë evropian...Është e rëndësishme që të bashkëpunojmë në disa fusha të ndryshme në të njëjtën kohë, mbarë rajonin dhe tërë Evropën...Unë kam dashur që të punojmë në një transport publik, më shumë hekurudha dhe të kemi qytete që nuk janë aq të ngarkuara me trafik të veturave. Prishtina është një shembull i trafikut të ngarkuar", tha Hurrelbrink.

Hurrelbrin shprehu dëshirën që të punohet në një transport publik me shumë hekurudha, që sipas tij ‘të kemi qytete që nuk janë aq të ngarkuara në trafik’. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat