Dedaj thotë se UÇK-ja ka pasur arsye të dyshojë se kush ishin ata, tregon ku e takoi Thaçin

Aktuale

Dedaj thotë se UÇK-ja ka pasur arsye të dyshojë se kush ishin ata, tregon ku e takoi Thaçin

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 17:14 më 06.11.2023
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

“Hashimi dhe Sabiti ishin të gëzuar kur morën vesh për vrasjen e Ahmet Krasniqit”/ Dedaj mohon edhe këtë dëshmi që e kishte dhënë më parë

Nga: M.L.

Gjergj Dedaj ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj krerëve tq UÇK-së.

Prokurorja: Keni thënë që shkuam në një shtëpi në periferi të Qirezit, çfarë ju tha UÇK-ja lidhur me hetimin për delegacionin tuaj a kishin konstatuar ndonjë gjë?”, ka pyetur prokurorja.

Dedaj: Krejt në rregull, jeni të lirë dhe po e shikojmë mundësinë e parë më të mirë më të përshtatshme  që ju me u kthy sigurt prej forcave serbe në Prishtinë, gjë edhe cila ka ndodhur ashtu.

Prokurorja: Nga Qirezi ju quan në Prishtinë apo diku tjetër?

Dedaj: Kemi shkuar në një fshat Krasmirovc të gjithë së bashku, na ka shtruar i zoti i shpisë i familjes Mehmeti një drekë, aty jemi çlodh, kush ka ditur të luaj shah ka luajtur shah pra pjesëtarët e UÇK-së me delegacionin.

Dedaj është pyetur nga prokurorja për udhëtimin me veturë bashkë me Sabit Gecin e Hashim Thaçin.

Dedaj: Makinën e ka drejtuar Sabit Geci dhe pas me mua ka qenë ulur Veli Bytyqi.

Prokurorja: A ju kujtohet të ketë pasur lajme në radio që ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi u vra në Tiranë dhe se Hashim Thaçi e Sabit Geci ishin shumë të gëzuar entuziastë dhe po flisnin me njëri tjetrin, u kënaqun?

Prokurorja ia ka rikujtuar Dedajt dëshminë që e kishte dhënë më herët e cila ishte si vijon:

"Na vendosën në veturë me Veli Bytyqin, Hashim Thaçin dhe Sabit Gecin. Sabit Geci ishte shoferi ndërsa unë dhe Veli Bytyçi ishim në sediljet pas… ata lëshuan radion për të dëgjuar lajmet dhe ne dëgjuam se ministri i mbrojtjes Ahmet Krasniqi ishte vrarë në Tiranë, Hashimi dhe Sabiti ishin të gëzuar, në realitet ata ishin të entuziazmuar, ata floën me njëri tjetrin, ne nuk e kuptonim se çka bisedonin, por ata ishin shumë të gëzuar. A ju kujtohet që ka ndodhur kjo sa ishit në veturë?"

Dedaj: Nuk më kujtohet që ka ndodhur kjo?

Po ashtu prokurorja e ka pyetur edhe në lidhje me deklaratën se ishte planifikuar vrasja e Agim Krasniqit.

Prokurorja: Po biseda që Sabit Geci bëri me ju që jo 12 por vetëm 13 persona do të kthehen në Prishtinë?

Dedaj: A e keni në plan me më shkatërru mua si gjykatë apo e keni në plan.

Unë kam lyp seancën e mbyllur, ma keni imponuar seancën e hapur.

Do kalojmë në seancë të mbyllur për pak qaste.

ZPS: Dedaj kishte thënë se Sabit Geci, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi i detyruan të nënshkruajnë deklaratë ku thuhej se “Rugova ishte tradhtar”

Në deklaratat e mëhershme dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gjergj Dedaj kishte thënë se Sabit Geci, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaci e kishin detyruar që të nënshkruajnë një deklaratë në të cilën thuaj se ish-presidenti Ibrahm Rugova është tradhtar.

Ndërsa, Dedaj tha se nuk i ka takuar asnjëherë së bashku këta persona, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nuk i kam takuar bashkë përnjëherë, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Sabit Gecin”, tha Dedaj.

I pyetur se ndonjëri prej këtyre personave kishte kërkuar një gjë të tillë, Dedaj tha se ka mundësi duke përmendur një person me numër 1 i cili sipas tij, ka qenë i padisponueshëm ndaj Rugovës dhe LDK-së.

“Ka mundësi, por nuk me kujtohet saktë, por personi numri 1, 1-shi i cili ishte i padisponum ndaj Rugovës dhe ndaj LDK-së”.

Prokurorja tha se Dedaj kishte deklaruar se personi 1 e ndihmoi marrjen në pyetje ku përdori kërcënime ndërsa për Hashim Thaçin thotë se kishte përdorur fjalë përshtatshme.

Ndërsa, Dedaj tha se atë natë janë marrë në pyetje dhe të nesërmen kanë qenë të lirë dhe të qetë si dhe nuk kanë pasur asnjë problem.

“Atë natë jemi marrë në pyetje, të nesërmen kemi qenë të lirë, të qetë kemi pushu. Atë natë mënojë që kemi tregu arsyen e vizitës tonë dhe mendoj që atë natë UCK-ja e kuptoi misionin tonë të drejtë dhe humanitar dhe të nesërmen nuk kemi pasur asnjë problem”, tha Dedaj.

Ndërsa, me Thaçin, Dedaj thotë se ka qenë bisedë normale mes liderëve politik.

“Kanë qenë biseda normale në mes liderëve, unë isha lider politik”, tha Dedaj.

Dedaj tha se ka pasur individë që nuk e kanë njohur Ibrahim Rugovën dhe kanë qenë të irrituar.

“Ka pasur individë që nuk e kanë njoftë. Ka pasur individë të irritum sepse ne në Prishtinë bënim një jetë normale”, tha Dedaj.

I pyetur se personi 1 a e ka njohur Parlamentin e Kosovës në institucionet e Prishtinës zyrtare, Dedaj tha që mos t’i krijojnë vështirësi dhe as probleme për jetën.

“Personi numër 1, ai besoj që ai nuk ka njoftë as vetveten lërë më Parlamentin e Kosovës. Ai është ashtu si është dhe mos me krijoni vështirësi dhe as probleme për jetën time”, tha Dedaj.

ZPS thotë se Dedaj kishte thënë se 6 anëtarë të delegacionit pësuan lëndime nga trajtimi kafshëror në Baicë, ai thotë se nuk është e vërtetë

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Gjergj Dedaj në deklaratën e vitit 2001 të dhënë për UNMIK-un, kishte thënë se gjashtë anëtarë të delegacionit kanë pësuar lëndime nga trajtimi që sipas tij ishte kafshëror në shkollën e Baicës.

“Ju thoni shkurtimisht; më pas disa ushtar me maska, hynë brenda dhe na nxorën një për një në fund të dhomës ku na grushtuan, na shqelmuan pa mëshirë me stupca druri.

6 anëtar patën lëndime të rënda si rezultat i trajtimit kafshëror, unë Gjergj Dedaj, Agim Krasniqi, Sokol Bllakaj Kurtesh Devaja, Mehdi Bardhi, Jusuf Telaku, me falni.

A iu kujtohet që ta keni dhënë këtë deklaratë sa i takon përleshjes fizike sa i takon që jeni grushtuar, jeni shkelmuar në mënyrë të pamëshirshme me stupca hekuri”, tha prokurorja.

Ndërsa, dëshmitari Gjergj Dedaj tha se nuk iu kujtohet që e ka thënë këtë gjë dhe se kjo nuk është e vërtetë që janë rrahur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk me kujtohet që e kam thënë dhe nuk është e vërtetë që kam thënë se jemi rrahur me stupca as me të hekurit as me të drurit”, tha Dedaj.

Në intervistat dhënë ZPS-së, Dedaj kishte deklaruar se janë rrahur individualisht dhe rrahja kishte zgjatur 2 deri në 3 minuta

“Prokurori i pyet: Cila ka qenë radha e juaj e rrahjes, ju jeni përgjigjur; nuk me kujtohet. Që do të thotë që ju nuk keni qenë bashkë, keni qenë individualisht. Pastaj prokurori i pyet; sa ka zgjatur çdo rrahje individuale, ju jeni përgjigjur: 2 ose 3 minuta deri sa personi që ishte duke u rrahur do të binte në tokë. Unë jam rrahur nga disa persona, përveç goditjes që kam marrë në krah, mua me kanë grushtuar edhe në trup. Atë që e kam thënë unë do ta thoja çdo kund tjetër. Iu tregova dhe lexova përgjigjet që keni thënë më herët, a iu rifreskon kjo kujtesën për mënyrën se si janë bërë këto rrahjet në mënyrë individuale dhe nuk ka qenë kacafytje në grup?”, pyeti prokurorja.

Dedaj tha se janë thënë në kuadër të fushatave zgjedhore dhe në gjendje të rënduar shpirtërore dhe emocionale.

“Çka janë thënë në kuadër të fushatave zgjedhore, revansheve, gjendjeve tona të rënda shpirtërore, emocionale, hakmarrëse se ju  nuk e di sa e kuptoni mentalitetin e Kosovës, shqiptarëve, është pak ma i veçantë se ai evropian se kemi specifikat tona. Na kemi dëshirë me u revanshu, fatkeqësisht. Është tek ne edhe njëfarë kanuni për të cilin keni dëgju sigurisht”, tha Dedaj.

Dedaj kishte deklaruar se anëtari i delegacionit, Sokol Blakaj ishte rrezuar në tokë deri sa ishte rrahur.

“Me kujtohet kur  u rrezua Sokoli në dysheme deri sa ishte duke u rrahur kurse njëri prej tyre e ngriti stupcin e drurit që ta godiste në kokë, në këtë moment e mora goditjen me të rëndë se u mundova ta pengoja që të mos e godiste atë në kokë. Unë i thashë mos se ne jemi vëllezër, ai tha ‘çfarë vëllezërish, ju të gjithë meritoni me u vra’. Sokoli ishte i diplomuar në shkenca politike, ai ka qenë një person shumë shumë i mirë, vdiq pas lufte”. A iu kujtohet që keni dhënë këtë shpjegimin?”, tha prokurorja.

Dëshmitari Dedaj tha se kjo i përngjanë një skenari të filmit duke theksuar se një kohë të gjatë e kanë pasur oponent UÇK-në dhe disa individë brenda saj.

“Kjo i përngjan skenarit të filmit. Kemi dashtë me ba kapak filma na. Një kohë të gjatë e kemi pas oponent UÇK-në dhe njerëz të caktuar, individë brenda UÇK-së. Ka individ brenda UÇK-së që as atëherë nuk jam pajtu, nuk pajtohna as tash as nuk do të pajtohem kurrë me ta. Nuk me kujtohet që kam pa dikën të rrëzum për tokë atë ditë, nuk me kujtohet”, tha Dedaj.

Prokurorja ia prezantoi dëshmitari deklaratën ku kishte thënë se Sokol Blakaj kishte pasur lëndime në fytyrë si dhe iu ishte kërkuar që të nënshkruhej një deklaratë ku thuhej ‘Rugova është tradhtar”.

“Prokurori iu pyeti; Ti a po ndonjë person tjetër a kishit ndonjë lëndim të dukshëm, për shembull gjak. Iu jeni përgjigjur; Po natyrisht, Sokol Blakaj, sekretar gjeneral i Partisë Liberale, ai kishte lëndime në fytyrë, ai tani është i ndjerë, edhe të tjerët po ashtu kanë pasur lëndime. Ata kërkuan prej meje të nënshkruaj një deklaratë ku thuhej ‘Rugova është tradhëtar’. Inicialet tuaja janë në fund të faqes. A iu rifreskon kujtesën kjo që të keni parë gjak mbi Sokol Blakajn atë kohë”, tha prokurorja.

Dëshmitari mohoi të ketë parë gjak tek anëtarët e delegacionit.

“Nuk kam parë asnjë pikë gjak. Nuk me kujtohet që kam pa një pikë gjak. Sa i përket asaj, personi numër 1 ka qenë sipas menimit tim shefi aty që ka vendos gjithçka,  ka bërë rregullin aty, ai ka urdhëru gjithçka. Ai ka fy edhe presidentin Rugova, na ka fy edhe ne edhe udhëheqjen në Prishtinë, mënoj se aty këta tjerët kanë qenë të pafuqishëm”.

Gjatë ofrimit të dëshmisë, Dedaj iu drejtua prokurores duke i thënë që ta hek nga fjalori fjalën ‘rrahje’.

Dedaj: UÇK-ja ka pasur arsye të dyshojë se kush jemi ne, në Baicë jemi takuar me Thaçin

Dëshmitari Gjergj Dedaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit,  tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka pasur arsye të dyshojë se kush ishin ata. Sipas tij, shumë prej anëtarëve nuk kanë qenë shumë të njohur.

“UÇK ka pas arsye dhe si çdo ushtri tjetër me dyshu se kush jemi ne, sepse shumicën prej nesh në delegacion as që i kanë njohur”, tha Dedaj.

Dedaj tha se gjatë qëndrimit në shkollën e Baicës, dikush i thirri dhe i kanë dërguar në një dhomë ku ka qenë Hashim Thaçi, me të cilin kanë bashkëbiseduar.

“Po, ashtu ka ndodhë. Ka thirrë dikush dhe më ka dergu në një dhomë ku ka qenë Presidenti Thaçi, jemi ulë dhe kemi bisedu, kena bashkëbisedu”, tha Dedaj.

Dëshmitari Dedaj tha se biseda me Hashim Thaçin ka qenë shumë e qetë dhe kolegiale.

“Biseda ka qenë shumë e qetë, shumë normale, thu se jemi 10 vjet pas lufte. Një bisedë kolegiale dhe shumë profesionale”, tha Dedaj.

Ai tha se me Hashim Thçin kanë biseduar edhe për arsyen e ardhjes në Qirez.

“Arsyeja e ardhjes, iu kemi spjegu që arsyeja e ardhjes ka qenë kryekëput humanitare”, tha Dedaj.

Dedaj: Mua duhet me më thirrë vetëm për serbët, s’kam probleme me UÇK-në

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tha se nuk ka pasur probleme asnjëherë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Serbët janë ata që e kanë bërë atë rast, serbët janë ata që unë jam sot këtu, serbët janë ata që e kanë vra dhe përgjakur Kosovën, serbët janë ata që edhe sot nuk e lënë Kosovën të qetë dhe serbët bashkë me Rusinë janë ata që duhet me qenë bashkë këtu në këtë sallë. Ju nuk i keni dënu serbët. Ju nuk i keni dhënë përgjigje masakrës së Mejës, nuk i keni dhënë përgjigje 40 masakrave në Kosovë. Nuk i keni dhënë përgjigje 20 mijë femrave të dhunume. Thash për serbët jam këtu, mua duhet me më  thirrë vetëm për serbët. Unë nuk kam probleme me UÇK-në, nuk kam pasur probleme me UÇK-në”, tha Dedaj.

Dedaj tha se nuk ka ushtruar dhunë askush ndaj tij.

Sipas tij, që nga dita e vizitës në Qirez dhe ajo se çfarë kishte ndodhur me pjesëtarët e UÇK-së, ka jetuar duke e përshkruar gjendjen si “gjarpri nën guri”. Ai tha se kjo ka ndodhur për shkak të fyerjes, denigrimit që i kanë bërë opinioni për shkak të asaj se çfarë kishte ndodhur.

“Unë 25 vite që nga ajo datë kam jetu si gjarpri nën guri, i fyem, i poshtërum, i denigrum për shkak të opinionit se çfarë ka ndodhur atë ditë sepse e kanë ekzagjeru qarqet e ndryshme anti-UÇK të ndihmuara edhe nga shërbimet sekrete serbe se me çdo kusht… jam dëshmitar që me çdo kusht është mundu me e denigruar dhe me etiketu UÇK-në në mënyra të ndryshme. Jam fy nëpër media, kam humb krejt, gati vetëm një herë kam fitu deputet”, tha Dedaj.

Dedaj e përshkuan atë që sipas tij kishte ndodhur në shkollën në Baicë, ku ishin dërguar nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Letërnjoftimet jo në klasë, por në holl të korridorit pastaj jemi vendosur në klasë. Në klasë kanë qenë jo karriga të nxënësve, por shtretër. Pastaj, mas disa minutash se nuk e kam matë atë minutazhën, më pastaj është futur një grup i djemve, me siguri djem të ri. Mendimi im si i kam perceptu ata kanë qenë pa simbole të UÇK-së, kanë qenë me maska, kanë qenë të maskuar dhe kanë hy në atë farë holli ku kemi qenë ulur ne, dhe aty ka fillu ajo përplasja verbale, shkëmbimi, debati, fymjet e ndryshme ndaj nesh e kumeditë çfarë informatash ata kanë pasur, kush jemi ne, çka jemi ne. Ajo ka zgjatë ndoshta një minutë, nuk mundem me spekulu as këtu”, tha Dedaj.

Ai tha se fjalosja ka ndodhur me një grup prej 4-6 të rinjve të cilët kanë qenë të keqinformuar dhe se asnjërit prej tyre nuk i ka parë shenja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Aty jemi shty, jemi fjalosë, kemi bërë polemika sikur që mund të shtyhen në stadiume politike, në kuvende, kjo është, that’s it brenda një minuti”, tha Dedaj.

Atij, sërish iu vu në dukje deklarata që e kishte thënë pranë ZPS-së.

“Pyetja ishte kjo; Kush i bëri rrahjet? Dhe përgjigja ishte kjo; ishte një grup, ishin 4-5 veta. Na kanë rrahur të gjithë bashkë, rrahja është parë nga të gjithë anëtarë e delegacionit. Këtu është bërë fjalë për delegacionin tuaj dhe jo për serbët, apo jo?”, tha prokurorja.

Dedaj pyetet për “rrahjen nga UÇK-ja”: Mua nuk mundet të më rrah kush

Dëshmitari Gjergj Dedaj iu është drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), që sipas tij duke e përmendur ‘rrahjen’, po ia shkatërron jetën dhe po ia rrezikon atë.

Dedaj është duke u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me disa deklarata që ai i kishte dhënë në vitin 2014, ku kishte deklaruar se ishte rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë protestoj ashpër dhe me lejoni të protestoj, ma ruani dinjitetin tim njerëzor dhe familjar. Unë kam një moshë të shtyrë dhe kam përjetime tepër të shtira të pashpjegueshme prej jush. Me këtë që ma përmendeni rrahjen, ju ma shkatërroni prapë jetën dhe ma rrezikoni edhe jetën fizike”, tha Dedaj.

Atij iu vu në theks që kishte thënë se ai dhe tre persona të tjerë ishin rrahur nga UÇK-ja.

“Ju jeni përgjigjur; Unë vetë Gjergj Dedaj, Agim Krasniqi, Mehdi Bardhi, Kurtesh Dubaja, jam absolutisht i sigurt për këtë, kur ktheva e kam bërë një fotografi”, iu citua nga ZPS.

Tutje, Dedaj tha se nëse ka thënë ‘rrahje’ ka qenë një proces i kacafytjes, për të cilën thotë se nuk e di si ta shpjegojë. Ndërsa, shtoi se t’ia përmendësh rrahjen, është më mirë ta ‘vrasësh’, pasi sipas tij ai nuk është burrë që mund të rrahet.

“Me ma përmend mua rrahjen, më mirë është mua me m’vra. Nuk jam burrë që rrihna, më mirë është dashtë me m’çu drejt në burg, 50-vjet burg të përjetshëm ose me m’vra dikush, por jo me m’rrah. Mua nuk mundet me m’rrah kush, unë nuk jam burrë që rrahna”, tha Dedaj.

Dedaj thotë se UÇK-ja nuk i ndaloi gjatë vizitës në Qirez por atje shkuan si në dasmë

Dëshmitari Gjergj Dedaj ka thënë se gjatë vizitës në Qirez nuk janë ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Dedaj tha se nuk kanë pasur fare shqetësim nga pjesëtarët e UÇK-së dhe se shqetësimi i tyre ishte gjendja e popullatës civile atje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ishte një makinë e cila kishte shenja, se detajet është problem me i kujtu. Ne nuk e kishim fare shqetësimin nga pjesëtarët e UÇK-së, shqetësimet tona ishin për gjendjen e popullatës civile në ato zona dhe me të thënë të drejtën kur e kemi pa UÇK-në jemi gëzu shumë dhe jemi ndje krenar”, tha Dedaj.

Ai tha se gjatë kësaj vizite kanë shkuar rreth 30-35 veta, me makina e kravata si në dasmë.

“Ndoshta kemi qenë 10-12 deputetë, nuk e di saktë. Kanë qenë gazetarë, kanë qenë disa zonja. Kanë qenë shoferet sepse ne kemi shku me kravata, me makina si në dasmë dhe iu tregova pse kemi shku. Në Qirez kemi qenë 30-35 vetë nuk e di saktë sepse nuk dua me spekulu”, tha Dedaj.

Ai tregoi edhe emrat e disa personave për të cilët thotë se kanë qenë në delegacion.

“Kam qenë unë kryetar i delegacionit. Ka qenë zonja Nekibe Kelmendi si zëvendëse e kryetarit të Delegacionit- një zonjë të cilën më vonë serbët ia kanë vra burrin edhe dy djemtë, mua m’i kanë vra 12. Kanë qenë edhe deputetë të tjerë Isuf Telaku, Agim Krasniqi, Hasim Dermaku, Sokol Blakaj, Agim Krasniqi, Mehdi Bardhi. Emrat i keni ju, ata emra që i kam dhënë ata janë sepse ndonjë mundem me e harru”, tha Dedaj.

Dedaj përshkroi edhe veprimet që ai dhe delegacioni i kishin ndërmarrë gjatë vizitës në Qirez.

“Në Qirez kemi pa, në hyrje të Qirezit domethënë kemi pa pjesëtarë të UÇK-së, fillimisht kam shku në xhaminë e fshatit e cila me sa me kujtohet ka qenë e bombarduar nga forcat serbe dhe kam vizitu popullatën civile, të sëmurit, fëmijët të cilët ishin në atë xhami në gjendje të papërshkrueshme, në gjendje tmerruese në gjendje trishtimi. Kemi vizitu edhe shkollën, pastaj kemi vizitu një zyre e cila thonin se është Zyra për Informim e Qendrës së LDK-së, kemi hy brenda për me mujtë me i pyet banorët për situatën në Qirez”, tha Dedaj.

Dedaj ka folur lidhur me vizitat që delegacioni politik i ka bërë në zonat e luftës

“Katër vizita; Malishevë, Banjë, Pagaurshë pastaj kah Qafa e Duhles, Bellanicë, Gucat deri në Senek. Vizitën e tretë jemi ndal nga paramilitarët serbë në Pejë sepse dëshironim të shkonim në Gllogjan, në Gllogjanin e Pejës se ku thuhej në Kishën Katolike janë mbledhur me mijëra shqiptarë të zhvendosur, mirëpo paramilitarët na kanë kthyer në Pejë, na kanë kërcënuar dhe kanë thënë nëse vazhdoni tutje, dhe nëse ndaleni vetëm me një vend kemi me ju vra. Vizita e katër ishte në Qirez”, tha Dedaj.

Ndërsa, vizita në Qirez, Dedaj tha se është realizuar me 20 shtator 1998.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij, Dedaj tha se Presidenti Ibrahim Rugova është themelues i platformës së Republikës dhe shtetit të Kosovës ndërsa lideri i mëvonshëm Hashim Thaçi tha se është ai që e ka përmbyll procesin e pavarësisë së Kosovës.Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj ka përshkruan raportet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur me partitë politike shqiptare në Prishtinë gjatë kohës së luftës.

Dedaj tha se forca politike në Prishtinë e ka shikuar me xhelozi UÇK-në, aporton “Betimi për Drejtësi”.

“UÇK-ja që nga shfaqja e saj e parë publike me 28 nëntor ’97 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë domethënë është shikuar me rezervë, por ajo filloi të rritej, të hapej dhe të gëzonte respekt gjithë andej Kosovës dhe forcat politike në Prishtinë e kemi shiku me xhelozi”, tha Dedaj.

I pyetur se a ka pasur tensione në mes UÇK-së dhe forcës politike në Prishtinë, Dedaj tha se ka pasur moskordinim.“Moskordinim ka pas, mos informim dhe të flas për udhëheqje politike, partitë politike në Prishtinë e kanë shiku me droje dhe me shumë shqetësim shfaqjen e UÇK-së, kësaj guerile që në fakt doli ta bëjë realitet lirinë e Kosovës. Ka pas edhe individë në parti që kanë bërë dezinformuata kundër UÇK-së dhe unë kam pas dëshirë që të shkojë vetë në ato zona duke rreziku jetën tonë.

Po ashtu, Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i UÇK-së pasi sipas tij, jo të gjithë kanë pasur guxim.

“Nuk kam qenë sepse nuk kemi pasur të gjithë atë guxim, atë nder dhe atë privilegj me qenë anëtar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, tha Dedaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe asnjëherë nuk do të jetë.

Në fillimin e dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tregoi për angazhimin e tij profesional duke thënë se në prag të luftës në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës ishte zgjedhur njëri prej nënkryetarëve.

Gjatë shtatorit të vitit 1998, Dedaj tha se ka qenë anëtar i Parlamentit të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.

Dedaj tha se në gusht të 1998 ka qenë i përfshirë në organizimin e një delegacioni nga Parlamentarët që të vizitojnë popullatën civile-lokale në Kosovë.

“Pas një bisede me presidentin dr.Ibrahim Rugova kemi bisedu që do të ishte mirë që udhëheqja e Prishtinës zyrtare që rrinin në Prishtinë dhe nuk e përjetonin mbi supet tona luftës, që të shkonim dhe t’i vizitonim zonat e luftës për të bindur drejtpërdrejtë me situatën e popullatës civile. Prandaj, presidenti Rugova ka bisedu me shefin e misionit diplomatik amerikan që do të ishte mirë ta bëjmë një delegacion prej njerëzve që kanë guxim dhe kurajo që të vizitojnë zonat e luftës”, tha Dedaj.

Ai tha se vizitën e parë e kanë bërë me 29 gusht, duke vazhduar në disa vende dhe së fundi vizitën e katërt e kanë bërë në Drenicë.

 

Gjergj Dedaj e përmend Albin Kurtin në Gjykatën Speciale

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj është duke dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai është duke u marrë në pyetje për një rast ndalimi, ku ai bashkë me disa anëtarë të tjerë të LDK-së ishin ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së.

Avokatja: A mund të na përshkruani si shkuat në Qirez? A shkuat së bashku në makinë apo ishit në vetura të ndara?

Dedaj: “Këtu kemi qenë shumë persona dhe një makinë nuk ka pasë mundësi më na dërgu, aty kanë qenë disa makina dhe unë kamë qenë më znj.Kelmendi në makinë të tjerët kanë qenë në makina pas. Jemi ndalur nëpër punktet policore, jemi kontrolluar, jemi fyer, jemi kërcënuar, por kemi vazhduar tutje”.

Avokatja: Ju ja dolët që t’i kaloni gjithë këto punkte dhe të shkonit në Qirez?

Dedaj: Po, kemi mbërritur në Qirez.

Avokatja: A u takuat dikund gjatë rrugës me UÇK-në?

Dedaj: Fillimisht kam shkuar në xhaminë e fshatit, e cila ka qenë e bombarduar nga forcat serbe, kam vizituar popullatën civile që ishte në atë xhami, në një gjendje të papërshkrueshme, gjendje tmerruese. Kemi biseduar me ta për t’u dhënë kurajo, pak po gaboni se nuk po më lejoni me i përshkruar më gjerësisht…

Më tej, avokatja përsëri e pyeti se nëse kishin hasur në UÇK-në gjatë rrugës për në Qirez, Dedaj deklaroi se i kishte takuar me makinë, por që ai nuk ka qenë halli i tij. Dedaj ndërkaq tha se halli i tij ishte gjendja e popullatës civile.

 Por, që u shpreh se kur i kanë takuar rrugës pjesëtarët e UÇK-së janë ndierë të lumtur.

Avokatja pyeti Dedajn se nëse ishte në dijeni UÇK-ja për vizitën e tij.

Dedaj tha se ka nuk ishte qenë.

“Në Prishtinë ka qenë një zyrë e UÇK-së, të cilën e ka drejtuar Adem Demaçi, aty ka qenë përkthyes, nuk e di se çfarë roli ka luajtur Albin Kurti, kryeministri i tashëm dhe ne nuk e kemi njoftuar atë zyrë, sepse nuk e kemi parë të arsyeshme që deputetet e Kuvendit të Kosovës. Ndoshta ka qenë edhe gabimi yni, por nuk dua që të spekulojë, nuk e kemi njoftuar dhe se UÇK-ja nuk ka qenë në dijeni që kemi shkuar në Qirez”, ka thënë Dedaj.

Ndryshe, Në fjalën hyrëse, Dedaj ka thënë se gjatë luftës, Serbia ia kishte vrarë 12 anëtarë të familjes.

“Serbia m’i ka vrarë 12 anëtarë të familjes, prej tyre dy të mitur, Nikollën 15-vjeçar dhe Lindonin 14-vjeçar”, ka thënë ai.

Gjergj Dedaj: Partitë politike në Prishtinë e kemi shikuar me xhelozi UÇK-në

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj ka përshkruan raportet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur me partitë politike shqiptare në Prishtinë gjatë kohës së luftës.

Dedaj tha se forca politike në Prishtinë e ka shikuar me xhelozi UÇK-në.

“UÇK-ja që nga shfaqja e saj e parë publike me 28 nëntor ’97 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë domethënë është shikuar me rezervë, por ajo filloi të rritej, të hapej dhe të gëzonte respekt gjithë andej Kosovës dhe forcat politike në Prishtinë e kemi shiku me xhelozi”, tha Dedaj.

I pyetur se a ka pasur tensione në mes UÇK-së dhe forcës politike në Prishtinë, Dedaj tha se ka pasur moskordinim.

“Moskordinim ka pas, mos informim dhe të flas për udhëheqje politike, partitë politike në Prishtinë e kanë shiku me droje dhe me shumë shqetësim shfaqjen e UÇK-së, kësaj guerile që në fakt doli ta bëjë realitet lirinë e Kosovës. Ka pas edhe individë në parti që kanë bërë dezinformuata kundër UÇK-së dhe unë kam pas dëshirë që të shkojë vetë në ato zona duke rreziku jetën tonë.

Po ashtu, Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i UÇK-së pasi sipas tij, jo të gjithë kanë pasur guxim.

“Nuk kam qenë sepse nuk kemi pasur të gjithë atë guxim, atë nder dhe atë privilegj me qenë anëtar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, tha Dedaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe asnjëherë nuk do të jetë.

Në fillimin e dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tregoi për angazhimin e tij profesional duke thënë se në prag të luftës në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës ishte zgjedhur njëri prej nënkryetarëve.

Gjatë shtatorit të vitit 1998, Dedaj tha se ka qenë anëtar i Parlamentit të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.

Dedaj tha se në gusht të 1998 ka qenë i përfshirë në organizimin e një delegacioni nga Parlamentarët që të vizitojnë popullatën civile-lokale në Kosovë.

“Pas një bisede me presidentin dr.Ibrahim Rugova kemi bisedu që do të ishte mirë që udhëheqja e Prishtinës zyrtare që rrinin në Prishtinë dhe nuk e përjetonin mbi supet tona luftës, që të shkonim dhe t’i vizitonim zonat e luftës për të bindur drejtpërdrejtë me situatën e popullatës civile. Prandaj, presidenti Rugova ka bisedu me shefin e misionit diplomatik amerikan që do të ishte mirë ta bëjmë një delegacion prej njerëzve që kanë guxim dhe kurajo që të vizitojnë zonat e luftës”, tha Dedaj.

Ai tha se vizitën e parë e kanë bërë me 29 gusht, duke vazhduar në disa vende dhe së fundi vizitën e katërt e kanë bërë në Drenicë.

Dedaj e mohon se Thaçi ishte në Qirez kur u ndalua delegacioni i LDK-së

Gjergj Dedaj po e vazhdon dëshminë e tij në Hagë, ku po pyetet për ndalimin e delegacionit të LDK-së në Qirez.

Dedaj e ka mohuar se aty ka qenë Hashim Thaçi.

I pyetur nëse e ka parë Hashim Thaçin në Qirez, Dedaj ka thënë: “Nuk e kam parë kurrë në jetën time, as në Prishtinë, as në Qirez. Tek në Baicë, disa orë pasi ka ndodhur rasti”.

Pasi është ballafaquar me deklaratat e tij në vitin 2014, ku ka thënë se e ka njohur Thaçin, Dedaj ka thënë se Thaçin e ka takuar për herë të parë në Baicë.

“Ka mundësi që ajo intervistë të jetë pas këtyre ngjarjeve, dhe atëherë e kam njohur Hashim Thaçin. Atë e kam takuar për herën e parë në Baicë, edhe në Paris në Rambuje”, ka thënë Dedaj.

“Nuk e kam pasur privilegjin me e taku [Thaçin]”, ka thënë Dedaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat