ZPS thotë se Dedaj kishte deklaruar që Enver Maloku i kishte thënë Gecit se po planifikohej protestë për arrestimin e delegacionit

Aktuale

ZPS thotë se Dedaj kishte deklaruar që Enver Maloku i kishte thënë Gecit se po planifikohej protestë për arrestimin e delegacionit

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 11:39
Gjergj Dedaj

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në seancën e së hënës tha se në deklaratën e vitit 2014, dëshmitari Gjergj Dedaj kishte thënë se Sabit Geci kishte biseduar në telefon me Adnan Merovcin dhe Enver Malokun, ku ky i fundit i kishte thënë se populli në Prishtinë po planifikonte protestë lidhur me arrestimin e tyre.

Prokurorja e pyeti Dedajn nëse pas kësaj bisede që dëshmitari kishte dëgjuar, a iu thanë se grupi ishte i lirë.

“Ju i keni thënë Prokurorit; Hashimi dhe të tjerët të cilët i kam përmendur, kishte edhe të tjerë por këta dukeshin se ishin më të rëndësishmit. Sabiti e thirri Adnan Merovcin- këshilltarin e Rugovës dhe Enver Malokun i cili drejtonte qendrën informative të Kosovës. Ata biseduan me Adnanin përmes telefonit, nuk e di se çfarë përgjigjesh iu kishte dhënë Adnani. Ata e pyetën Enverin se si ishte situata në Prishtinë dhe se çfarë kishin thënë lidhur me arrestimin tonë. Ai iu tregoi atyre se situata ishte shumë e tensionuar dhe se populli po donte të organizonte një protestë. Organizatori kishte shkuar tek Rugova me u njoftu, por Rugova si njeri i mençur dhe i urtë iu kishte thënë ‘jo, mos protestoni’. A ka qenë kështu biseda që keni degju ju në mes Hashim Thaçit dhe të tjerëve sa i takon reagimit në Kosovë sa i takon arrestimit dhe ndalimit tuaj?Pas kësaj bisede që dëgjuat dhe ku u diskutua lidhur me një protestë, iu thanë më pas që ishit të lirë grupi juaj?”, tha prokurorja.

Dedaj tha se gjithnjë kanë qenë të lirë dhe nuk kanë qenë asnjëherë të ndaluar.

“Si kemi mbërritur në Qirez, ne kemi qenë të lirë. Ne në fakt kemi qenë gjithnjë të lirë, nuk kemi qenë as të arrestum, as s’kemi qenë të lidhun, domethënë ne ishim të lirë, por problemi ishte të gjejmë mënyrë më të lehtë të kthehemi në Prishtinë, pa probleme, pa u ndeshur me forca serbe”, tha Dedaj.

Tutje, prokurorja tha se Dedaj kishte treguar se çfarë kishte ndodhur në një shtëpi që UÇK-ja i kishte dërguar në përiferi të Qirezit.

“Ju pyetën; Çka ndodhi atë natë në atë shtëpi në përiferi të Qirezit, jo në Baicë? Ju jeni përgjigjur: Aty, ata na thanë se ishim të lirë dhe se nuk gjetën asgjë për të thënë se ne kishim bërë ndonjë gabim, por thanë se nuk dinin ku me na çu dhe çka me ba me ne. Pra, ju jeni liruar pas kësaj bisede”, tha prokurorja.

Dedaj tha se që nga nisja për në Baicë “de facto” kanë qenë të liruar dhe se është meduar strategjia se si të kalohet në Prishtinë pa pasur takim me forcat serbe.

“E di se që nga nisja prej Baicë domethënë de facto kemi qenë të lirum, vetëm është menu strategjia sesi me na deportu për Prishtinë pa pas takim me forcat serbe të cilat kanë pas mundësi me na vra dhe me e etiketu dhe fajësu UÇK-në”, tha Dedaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat