Opozita kritikon Rizvanollin për qasjen ndaj Trepçës

Aktuale

Opozita kritikon Rizvanollin për qasjen ndaj Trepçës

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 14:52
Opozita kritikon Rizvanollin për qasjen ndaj Trepçës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se më 2 nëntor kanë arritur marrëveshje me minatorët duke iu përgjigjur kërkesave të tyre. E njëra prej tyre siç tha ajo, ishte që pagat të ekzekutohen nga data 6 deri me datën 10, për të çka njoftoi se 92 për qind e pagave janë ekzekutuar sot. Ndërsa shtoi se, greva e mbajtur nga minatorët nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte.

Në komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ku raportoi, ministrja Rizvanolli tha se për herë të parë pas 24 vitesh ka pasur edhe raportim të rregullt, dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhje të bordit.

Duke folur për gjendjen e krijuar në Trepçë, Rizvanolli tha se Qeveria Kurti ka ndarë 27 milionë euro për këtë ndërmarrje.

Rizvanolli: Me datë 2 nëntor të këtij viti, bordi mbikëqyrës i përkohshëm ka arritur marrëveshje me minatorët protestues

“Pas një periudhe gjatë së cilës ka pasur diskutime të vazhdueshme mes bordit dhe përfaqësueseve të punëtorëve, mirëpo edhe bordit dhe drejtorëve të njësive si dhe përfshirjes së përfaqësuesit nga Ministria e Ekonomisë, e cila ka përfaqësuar ME, më datë 2 nëntor të këtij viti, bordi mbikëqyrës i përkohshëm ka arritur marrëveshje me minatorët protestues për çështjet që po adresohen, siç janë: pagat të ekzekutohen prej 6 deri më 10 të muajit, për këtë mund të ju raportoj se pagat e muajit tetor 2023 janë paguar, 92 për qind e pagave janë ekzekutuar sot, kryesisht me subvencione nga Ministria, ndërsa 8 për qind do të paguhen ndërkohë pas arkëtimit të mjeteve nga shitja e koncentratit... Në mbledhjen e jashtëzakonshme të 5 nëntorit, bordi mbikëqyrës ka marrë vendim për të shpallur konkursin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, duke qenë se kjo pozitë ka qenë duke funksionuar me ushtrues detyre... Qeveria e Kosovës vetëm gjatë katër viteve të fundit, pra 2020 dhe 2024 gjatë qeverisë Kurti 1 dhe gjatë mandatit tonë ka ndarë 27 milionë euro për Trepçën, një pjesë për inevstime kapitale, një tjetër për shpenzime operative”, deklaroi Rizvanolli.

Në këtë drejtim, ajo tha se situata ka qenë më e rënduar për shkak edhe të vazhdimit të ndikimit të krizës energjetike. Rizvanolli shtoi se një ditë para se të fillonte greva, qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro, porse ndërmarrja ka ekzekutuar pjesën e pagave një ditë pas fillimit të grevës.

Rizvanolli: Para dy javësh, qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro për Trepçën, një ditë para se të fillonte greva

Bordi i sapoemëruar ka filluar me një analizë të gjendjes duke intervistuar të gjithë drejtorët e njësive si dhe menaxhmentin, dhe ka ndërmarrë disa hapa që përfshin këtu edhe lirimin nga detyra ose shkarkimin e disa prej zyrtarëve të lartë dhe vendime për shpalljen e konkurseve për disa pozita të larta siç janë e sekretarit dhe pozita e zyrtarit kryesor financiar. Përgjatë kësaj periudhe, ndërmarrja Trepça ka pasur sfida të ndryshme, përveç sfidave të vjetërsisë së pajisjeve dhe sfida tjera në lidhje me burime njerëzore që janë tash e një kohë. Situata ka qenë më e rënduar për shkak edhe të vazhdimit të ndikimit të krizës energjetike, çmimeve shumë më të larta të energjisë elektrike në krahasim me nivelet e para krizës, mirëpo edhe të rënies së çmimeve të metaleve në bursë gjatë këtij viti. Si rezultat ndërmarrja ka qenë në situatë të tillë që ka pasur vonesë të pagesës së plotë të pagës në kohën kur ka filluar greva, përkatësisht gjithë punëtorët e ndërmarrjes kanë pasur të ekzekutuar 55 për qind e pagës ndërsa 45 për qind të tjera kanë qenë në pritje të subvencionit të qeverisë, subvencion ky që është një ditë para se të fillojë greva. Para dy javësh, qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro për Trepçën, një ditë para se të fillonte greva, ndërsa ndërmarrja ka ekzekutuar pjesën e pagave një ditë pas fillimit të grevës”, deklaroi Rizvanolli.

Sipas saj, greva e minatorëve nuk ka qenë e organizuar me legjislacionin në fuqi.

Rizvanolli: Greva nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte kyçe

Sa i përket çështjes së pagave, pra një ditë pas fillimit të grevës kjo çështje është adresuar pas ekzekutimit të pagave nga ndërmarrja Trepça dhe bordi ka dhënë shpjegime dhe ka dhënë gatishmërinë e plotë që të diskutojë dy kërkesat tjera që kanë të bëjnë me sigurimin shëndetësor, mjetet dhe kushtet më të mira të punës, dhe për këtë kanë ofruar përfaqësueseve të punëtorëve që të diskutojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe t’i gjejnë zgjidhjet më të mira për punëtorët dhe për ndërmarrjen. Ndërsa sa i përket kërkesës, shkarkimi i ushtruesit të detyrës të kryeshefit aktual, bordi ka informuar punonjësit se vlerësimi dhe emërimi i kryeshefit është kompetencë komplet ekskluzive e bordit dhe u ka garantuar se vlerësimi i performancës së të gjithë zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes përfshirë edhe i kryeshefit do të vazhdojë dhe hapat që do të ndërmarrën do jenë në përputhje me të gjeturat, performancën, faktet, argumentet dhe legjislacionit në fuqi. Pas kësaj greva ka vazhduar megjithëse greva nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte kyçe, duke përfshirë këtu se nuk ka pasur informata në lidhje me organizatorët e grevës, me numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në miniere”, tha Rizvanolli.

Ndërsa, kryetari në këtë komision, Ferat Shala i pati disa pyetje për ministren Rizvanolli. Ai mes tjerash ka kërkuar të di arsyen e shkarkimit të bordit të vjetër dhe njësitë aktive pas grevës.

Shala: Pse është shkarkuar bordi i vjetër dhe çfarë ndodhi me atë bord që po ashtu ishte i emëruar nga ju

Tash është viti tretë i qeverisjes suaj dhe tani kemi bordin e ri të Trepçës, nuk dëgjova asnjë fjalë pse është shkarkuar i bordi vjetër dhe çfarë ndodhi me atë bord që po ashtu ishte i emëruar nga ju... Nëse ka mundësi të na thoni sa janë humbjet financiare që i ka krijuar ndërmarrjes Trepça greva 10 ditore sa ka qenë, pastaj kur vërtet do ta kemi një fillim të ristrukturimit të ndërmarrjes, cili do të jetë relacioni i Trepçës dhe Fondi Sovran?... Sa po përgatitet Trepça që Ligji mund të hyjë shpejt në fuqi dhe ndërmarrja Trepça do duhej të kalojë tek Fondi Sovran. Ju thatë që 27 milionë euro kanë shkuar, pra me marrë mesataren, d.m.th pagat për dy vjet qeveria ja paska dhënë minatorëve të Trepçës, e 27 milionë mesatarisht i bie 2 vjet dhe mbesin disa para aty, ato 200 mijë kanë blerë dorëza, pra në esencë mbi dy vjet pagesat për financimin e punëtoreve Trepçës dalin që kanë shkuar nga subvencionet e qeverisë. Nuk dëgjuam asnjë investim kapital serioz, teknologji apo diçka tjetër”, ka pyetur Shala.

Për këtë, Rizvanolli tha se shkarkimi i bordit të kaluar ka ardhur nga mungesa e një strategjie të ndërmarrjes. Ndërsa, ka shtuar se për herë të parë pas 24 vitesh ka pasur edhe raportim të rregullt, dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhje të bordit.

Rizavnolli: Për herë të parë pas 24 vitesh kemi pas edhe raportim të rregullt, dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhje të bordit

“Një arsyeje kyçe (e shkarkimit të bordit) ka qenë pikërisht mungesa e një strategjie të ndërmarrjes nga ky bord. Ky bord ka bërë një punë të mirë për një kohë, pastaj ka ardhur një kohë përtej të cilës nuk kemi parë përmirësime të dukshme në punë si dhe një strategji e cila praktikisht nuk i është dorëzuar ministrisë... Sa i përket lidhjes me Fondin Sovran, vlerësimi i aseteve nga njëra anë, mirëpo edhe ristrukturimi dhe zbatimi i investimeve kyçe janë hapat kyç të cilët janë përgatitor për bartjen e Trepçës në Fondin Sovran... Sa i përket buxhetit është aty, nuk ka shkuar askund, dhe ne jemi në një fazë ku po presim prej Trepçës edhe informata shtesë... Sa i përket njësive, të tria janë në funksion dhe gjithashtu për herë të parë pas 24 vitesh kemi pasur edhe raportim të rregullt, dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhjes të bordit, dhe gjithashtu për herë të parë Zyra Kombëtare e Auditimit është duke audituar edhe njësinë veriore të Trepçës që është një hap i madh në shtrirje të kontrollit edhe në atë pjesë, edhe financiar dhe operativ”, ështëpërgjigjur Rizvanolli.

Edhe deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, ka pyetur ministren e Ekonomisë se cila është arsyeja e shkarkimit të bordit të Trepçës dhe emërimi i bordit të ri.

Bunajku: Bordin të cilin e keni shkarkuar, a keni qenë e njëjta qeveri që e keni emëruar

“Bordin të cilin e keni shkarkuar, a keni qenë e njëjta qeveri që keni emëruar. Cila ka qenë performanca e atij bordi dhe cila e këtij?”, pyeti Bunajku.

Ndërsa, Rizvanolli tha se si qeveri deri më tani nuk kanë pasur asnjë emërim politik apo nepotizëm.

Rizvanolli: Nuk kemi pasur asnjë emërim në bazë të favoreve

“Ne si qeveri në asnjë emërim nuk e bëjmë as në bazë të njoftesive e as të favoreve. Konsiderojmë detyrë, dhe madje shumë të vështirë për këdo që pranon ta marrë detyrën që ndërmarrjet publike t’i përmirësojë sa i përket performancës... Nuk i bëjmë favor askujt kur i emërojmë, e vlerësojmë performancën e tyre për aq sa performojnë mirë janë aty, ndërsa në të kundërtën ata zëvendësohen”, tha Rizvanolli.

Ndërsa, deputeti nga AAK-së, Pal Lekaj ka akuzuar ministren për grevën e minatorëve. Sipas tij, ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre.

Lekaj: Me qenë në pozitën tënde unë do të qaja sot, jo me ardhë këtu me shit mend

“Në as një mënyrë nuk e kuptoj se si i keni injoruar minatorët, dhe për hir të juajin dhe vendimit tuaj për mos komunikim, mos vizitë të ta, i keni rrezikuar gjithë ata minator dhe i keni shqetësuar familjet e tyre. Si ndihesh si ministre dhe si familjare kur me lejen e juaj i keni ngujuar minatorët për moskomunikim, mosvendim i keni lejuar që të rrezikojnë shëndetin e tyre... Me qenë në pozitën tënde unë do të qaja sot, jo me ardh këtu me shit mend”, tha ai.

Ndërsa, duke ju përgjigjur deputetit Lekaj, ministrja Rizvanolli tha se është e turpshme të krahasohet greva e vitit 1989 me këtë të fundit.

Rizvanolli: Është e turpshme të krahasohet kjo grevë me atë të regjimit

“Nuk qesha me kërkesat e minatorëve por me deklarimet e tua...Krahasimi i grevës së tanishme me grevën e vitit 1989 që ka qenë grevë për të shprehur pakënaqësinë ndaj një regjimi për të cilën e dimë, ka qenë një grevë urie dhe krahasimi qoftë i kohëzgjatjes ose rrethanave mendoj që është i turpshëm dhe i dëmshëm, jo vetëm për ne këtu sot, por është e turpshme që ne ta krahasojmë Kosovën e 25 viteve pas, shtetin më demokratik në të gjithë Ballkanin Perëndimor siç thonë të gjitha raportet ndërkombëtare, ta krahasojmë veten me regjimin, shtetin e asaj kohe. Nuk e kuptoj si për qëllime politike ditore ju e bëni këtë në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi Rizvanolli.

Kujtojmë se, greva e minatorëve të Trepçës ka përfunduar në ditën e 10-të pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet minatorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë.

Marrëveshja është arritur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, kur ata u vizituan nga deputetë të VV-së, përfaqësues të Bordit të ndërmarrjes Trepça dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Ndryshe, këta të fundit kishin hyrë në grevë të martën e javës së kaluar me kërkesat si: ekzekutimi me kohë i pagave, shkarkimi i menaxhmentit të Trepçës, sigurimi shëndetësor i minatorëve, përmirësimi i kushteve dhe mjeteve të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat