Misioni i Lajçakut në Kosovë

Aktuale

Misioni i Lajçakut në Kosovë

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 20:41
Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Përveç njoftimit të opozitës me propozimin evropian për asociacionin dhe vazhdimin e dialogut, vizita e emisarit Lajcak do të shërbej sipas njohësve të proceseve politike edhe për përgatitjen e taborëve politike në vend, për zbatimin e asociacionit, si obligim i hershëm ndërkombëtar për Kosovën.

Që nga takimi i 26 tetorit ndërmjetësuesit evropian të dialogut Kosovë – Serbi, ishin zotuar se do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur ujdinë mes palëve për rrugën tutje drejt implementimit të marrëveshjes për normalizim.

Emisari Miroslav Lajcak në vizitën e fundit, pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se janë dakorduar për hapat tutje në dialog.

Profesori universitar Arben Fetoshi, thotë se Lajcak në këtë vizitë ka njoftuar opozitën për detajet e draftit.

“Vizita e Lajcak konsiston në përgatitjen dhe njoftimin e opozitës së Kosovës në kuptimin e një dakordimi të të gjitha palëve… tani besoj që është një hap i duhur në kuptim të shpjegimeve dhe njoftimit të opozitës së Kosovës lidhur me këtë draft si dokumenti mbi të cilin duhet të lëvizë Kosova që ta themeloi asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është shprehur profesori universitar, Arben Fetoshi.

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Driton Lajci thotë se tani të gjitha taboret politike në vend, kanë informacion të mjaftueshëm në lidhje më këtë propozim për asociacionin.

“Vizita sipas tij është produktive, pozita dhe opozita duket se kanë informacione të mjaftueshme, të bollshme, edhe sa i përket formës edhe sa i përket përmbajtjes … duket se ka një kënaqësi edhe pozita edhe opozita sepse reagimet e tyre nuk janë shumë kundërshtuese janë më tepër periferike, formale se sa për përmbajtjen, sepse asnjëri nuk shprehu haptas, qartas, kundërshtim për asociacionin”, ka thënë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Driton Lajçi.

Përmbajtja e detajuar e draftit të asociacionit ende po mbahet konfidenciale për opinionin, pasi siç kanë deklaruar nga ekzekutivi, kjo është një kërkesë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat