Pesë ankesa në KPM ndaj Klan Kosova për përmbajtjet e “Big Brother”

Aktuale

Pesë ankesa në KPM ndaj Klan Kosova për përmbajtjet e “Big Brother”

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Komisioni i Pavarur i Mediave ka pranuar pesë ankesa nga qytetarët për përmbajtjet e emisionit “Big Brother”.  Për njërën ankesë nuk është gjetur se ka shkelje nga Klan Kosova derisa për të tjerat është duke u hartuar raport nga KPM-ja.

Kjo është bërë e ditur nga ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KMP-së, Faruk Rexhaj, gjatë raportimit në mbledhjen e së premtes.

Njëra ankesë, sipas Rexhajt, është bërë për shkak të fjalosjeve dhe promovim të cigares në “Big Brother”.

“Shumë shpejt pritet të sjellim rekomandimet e nevojshme lidhur me këtë ankesë”, ka thënë ai.

Rexhaj bëri të ditur se e kanë raportin e monitorimit dhe i njëjti është duke u trajtuar.

Gjithashtu, ankesa tjetër, Rexhaj tha se ka të bëjë me transmetimin e përmbledhjeve ditore të “Big Brother” dhe se do të njoftohen në kohë me të gjeturat e monitorimit.

“Kemi kryer procedurat edhe sa i përket monitorimit të kësaj ankese dhe sapo të jemi gati do të njoftoheni me kohë me të gjeturat e këtij monitorimi”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka mirëpritur ankesat e qytetarëve për përmbajtjet e programeve të mediave.

“Qytetarët duhet të reagojnë, duhet të na informojnë kur shohin se ka një shkelje të Kodit të Etikës. Në këtë aspekt do të kërkoj si zyrë që të gjitha ankesat të trajtohen në mënyrë të pavarur veç e veç secila”, ka thënë Mehmeti.

Në këtë mbledhje, me katër vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, është miratuar edhe Rregullorja për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së.Kjo rregullore parasheh proces të hapur, konkurrues, vlerësim meritor dhe ofron transparencë për organizatat e shoqërisë civile.

“Më lejoni t’ju bëj thirrje të gjithë kuadrove profesionalë që kanë njohuri, karakter dhe integritet dhe nuk kanë ndonjë konflikt interesi, që në momentin kur hapet konkursi të aplikojnë”, ka thënë kryetari KPM-së, Jeton Mehmeti.

Po ashtu, në këtë mbledhje KPM ka miratuar edhe rekomandimet për ripërtëritje licencës për  “Kumanova Cable Sh.P.K.”, “Radio Fortuna”, “Radio Festina”, “Radio Gorzdevac”, “Radio Kim”, “Radio Kiss’, “Radio Kolasin”, “Rado Rinia”, “Radio Malisheva” dhe “ISP Broadcast”.

Kurse, çështjet për ripërtëritjen e licencës për “Radio 7 Kosova” dhe “Radio Fortuna”, janë shtyrë për mbledhje tjetër, ashtu që të komletohet dokumentacioni dhe të mblidhen të gjitha faktet.

KPM, gjithashtu ka miratuar edhe rekomandimet për bartjen e pronësisë së “Radio Gora” dhe “Spin TV”.

Për këto raste, kryetari Mehmeti ka njoftuar se janë respektuar kërkesat ligjore, e që të njëjtat subjekte nuk kanë bërë ende ndryshimin e pronësisë në ARBK, para miratimit nga ana e KPM-së.

Krejt në fund, KPM ka miratuar edhe vendimin për mbledhjen e tarifave i cili do të shërbej si titull ekzekutiv në procedurë përmbarimore.

Në lidhje me këtë, gjatë diskutimeve, Niman Racaj nga zyra ligjore e KPM-së tha se KPM ka pasur probleme në procedurat ligjore sa i përket tarifave.

Ai tha se gjykatat i kanë kontestuar faturat e KPM-së, e që sipas tij në shumicën e vendimeve konstatohet se fatura duhet t’i përmbush disa kërkesa ligjore.

Tutje, Racaj tha se i kanë  ndryshuar faturat, por sipas tij prapë se prapë gjykatat kanë vlerësuar se faturat duhet të nënshkruhen nga ana e debitorëve.

Andaj, ai tha se kanë ardhur në përfundim që fatura të zëvendësohet me vendim administrativ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat