Gjenden mbetjet mortore Prizren, dyshohet të jenë viktima të luftës

Aktuale

Gjenden mbetjet mortore Prizren, dyshohet të jenë viktima të luftës

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 16:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se të premten gjatë gërmimeve në Tusuz të Prizrenit, ka hasur në mbetje mortore që mund t’i përkasin personave të zhdukur.

Kushtrim Gara nga Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se në kuadër të zbatimit të Planit të Punës nën koordinimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, janë duke kryer gërmimet vlerësuese në tri lokacione në hapësirat e 'Varrezave të qytetit të Prizrenit'.

“Gërmimet e filluara sot në Tusuz, kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore potencialisht të viktimave të luftës. Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t'iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, ka shkruar Gara në Facebook.

Sipas tij, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre.

Gërmimet në Tusuz të Prizrenit, janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special.

Ndërsa, lokacioni në Tusuz të Prizrenit është lokacioni i trembëdhjetë i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat