Reagime për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, Komuna e Prishtinës thotë se është obligim i FFK-së

Aktuale

Reagime për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, Komuna e Prishtinës thotë se është obligim i FFK-së

Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 16:44
Stadiumi i Kosovës ​“Fadil Vokrri”

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve për mirëmbajtjen e stadiumit “Fadil Vokrri”, për të cilën thuhej se është përgjegjëse komuna dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit.

Në reagim thuhet se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas komunës, kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022.

“Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë, prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë në projektin për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit”, thuhet në reagim.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në platformën “X”, ka shkruar se Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për mirëmbajtjen e fushës së stadiumit.

Ajo ka parashtruar pyetje për kryetarin Përparim Rama, duke e pyetur se “kush po t’i bllokon investimet dhe mirëmbajtjen e fushës”.

“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për investime dhe mirëmbajtjen e fushës në stadiumin e Prishtinës. Kush po t’i bllokon investimet dhe mirëmbajtjen e fushës o Perparim Rama? “Pak llap, pak gollak”, pak rrenc e pak manipulant”, është shprehur ajo.

Kritikat nuk i kurseu as kapiteni i Izraelit, Eran Zahavi, i cili pas ndeshjes tha se më shumë se një fushë futbolli, terreni i ‘Fadil Vokrrit’ dukej si një stallë derrash.

“Ishte më shumë stallë derrash se fushë futbolli. E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë në secilën situatë dhe nuk morëm pikë sonte”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat