Klinaku: Asociacioni mund të sjellë luftë

Aktuale

Klinaku: Asociacioni mund të sjellë luftë

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 16:10
Faton Klinaku

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se Asociacioni mund të sjellë luftë në Kosovë.

Këtë deklaratë Klinaku e ka bërë në Facebook.

“Pikërisht është e kundërta: Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të sjell luftë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, dje kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Daradan Molliqaj, ka thënë se drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i Serbisë, e zhbënë Republikën e Kosovës së 17 shkurtit.

Pas një aksioni simbolik që ka mbajtur kjo parti, para Qeverisë së Kosovës, Molliqaj ka thënë se me këtë draft zhduket barazia mes qytetarëve dhe komuniteteve që kanë qenë të përfaqësuara përmes yjeve edhe në Flamurin e Kosovës.

“Drafti i statutit të Asociacionit i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i Serbisë, në thelb e zhbënë shtetin e Republikës së 17 shkurtit. Zhduket barazia mes qytetarëve që kanë qenë të përfaqësuara edhe në flamurin e Kosovës, të përfaqësuar përmes yjeve. Nga sot as flamuri i Kosovës nuk është i njëjtë”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se kundërshtimet kundër këtij drafti nuk do t’i ndalin duke mos përjashtuar as protestat.

“Do ta kundërshtojmë në çdo formë e më gjithë forcën që e kemi. Patjetër që do kemi edhe protesta”, tha Molliqaj.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti i propozuar nga BE dhe SHBA është më i avancuar se ai i kaluari dhe se do t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai nuk e ka publikuar këtë draft, pasi siç ka thënë ai një gjë e tillë i është kërkuar nga ndërkombëtarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat