Afër 1500 serbë kanë aplikuar për pasaporta të Kosovës

Aktuale

Afër 1500 serbë kanë aplikuar për pasaporta të Kosovës

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 20:29
Ilustrim

Deri më 14 nëntor, afër 1500 qytetarë serb nga Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zvecani e Zubin Potoku kanë aplikuar për tu pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se kjo nuk lidhet vetëm më liberalizimin e vizave por edhe me çlirimin e qytetarëve në atë pjesë derisa profesorët e kësaj fushe thonë se serbët në veri e kanë kuptuar që s’ka kthim mbrapa prej kur është vendosur flamuri shtetërorë në atë anë.

Po presin në radhë, për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.

Afër 1500 qytetarë serbë të katër komunave veriore kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në këtë periudhë 1070 qytetarë kanë aplikuar nga komuna e Mitrovicës Veriore, 186 nga Leposaviqi, 159 nga komuna e Zubin Potokut e 43 të tjerë nga komuna e Zvecanit.

Por këtë rritje të kërkesave për t’u pajisur me dokumente nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e lidhin me liberalizimin e vizave.

“Shtimi i kërkesave për pasaporta të RKS nuk lidhet vetëm me faktin e liberalizimit të vizave, por edhe me çlirimin që qytetarët në atë pjesë të vendit kanë filluar ta ndjejnë nga kërcënimet, shantazhet e deri te rrahjet fizike e vrasjet për të gjithë ata që kanë dashur të jetojnë normalisht në Republikën e Kosovës. Luftimi i bandave kriminale, krimit e kontrabandës si asnjëherë më parë në këto vitet e pasluftës ka bërë që atje të ndërrojë gjendja drastikisht”, tha Arlind Manxhuka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe , profesori Nexhmedin Spahiu thotë se liberalizimi në janar nuk ka lidhje me këtë gjë.

Sipas Spahiut, serbët e kanë kuptuar se nuk ka kthim mbrapa.

Nga ana tjetër, Mazllum Baraliu thotë se kjo gjë është pozitive mirëpo jo ndonjë arritje e madhe .

Përveç pajisjeve me pasaporta të Kosovës, serbët muajt e fundit kanë shprehur interesim edhe për ndërrimin e targave të veturave nga KM në RKS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat