FSK-ja do të marrë pjesë në trajnimin e trupave ukrainas

Aktuale

FSK-ja do të marrë pjesë në trajnimin e trupave ukrainas

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 22:08
Ejup Maqedonci

Operacioni “Interflex” është një program trajnimi ndërkombëtar i udhëhequr nga Britania e Madhe për rekrutët ukrainas.

Me ç’rast, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se Forcat e Sigurisë së Kosovës, në fillim të vitit 2024, do të marrin pjesë në trajnimin dhe përgatitjen e trupave ukrainase.

“Dy vitet e fundit i kemi pasur dy operacione jashtë vendit, është fjala për operacione të ruajtjes së paqes. Aktualisht jemi duke u koordinuar me shtetin britanik, për bashkë zbarkim në Belize, ku do të jemi pjesë e një misioni trajnues të Britanisë së Madhe. Po ashtu, tani jemi në fazën përfundimtare të koordinimit për pjesëmarrje në operacionin “Interflex”, operacion që gjithashtu drejtohet nga Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar. “Interflex” do të ndodhë në fillim vitit të ardhshëm. Pra, njësitë tona, instruktorët tanë, do të jenë pjesë e ekipit të përbashkët të Britanisë së Madhe dhe aleatëve tjerë për trajnimin dhe përgatitjen e trupave ukrainase në luftën e tyre për çlirim”, deklaroi Maqedonci në emisionin “Këndi i Debatit”.

Njëherit, Maqedonci bëri të ditur se vazhdimisht ka oficerë, nën oficerë dhe ushtarakë, që po përgatiten dhe trajnohen jashtë vendit.

“Në vazhdimësi kemi oficerë, nën oficerë dhe ushtarë që përgatiten dhe trajnohen jashtë vendit. Çdo ditë, i kemi mbi 100 prej tyre që janë duke u trajnuar dhe edukuar në ndonjë shkollë, kurs apo institucion edukues ushtarak jashtë Kosovës. Kryesisht fokusi është Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi tutje ministri i mbrojtjes.

Kujtojmë se Ministria Britanike e Mbrojtjes, më parë ka njoftuar se më shumë se 17 mijë ushtarë ukrainas, janë trajnuar në një vit sipas një programi të udhëhequr nga Britania si pjesë e mbështetjes së saj për Kievin pas pushtimit rus.

Programi i trajnimit përfshin Britaninë, si dhe forcat e armatosura të nëntë vendeve të tjera: Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Norvegjisë, Finlandës, Suedisë, Danimarkës, Lituanisë dhe Holandës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat