Rezoluta 12/44 në Preambulë “fazë drejt zhbërjes së opinionit të GJND-së më 2010 dhe Pavarësisë më 2008”, thotë Hasani

Aktuale

Rezoluta 12/44 në Preambulë “fazë drejt zhbërjes së opinionit të GJND-së më 2010 dhe Pavarësisë më 2008”, thotë Hasani

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 23:32
Enver Hasani

Arsyeja e futjes së Rezoutës 12/44 në Preambulë të Draft-Statutit për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe “është pasojë e drejtëpëtdrejtë” e nisjes së zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit “sipas të cilit Kosova ka pranuar pa paragjykim për statusin e saj nga Serbia të merr përsipër detyrimet ndërkombëtare”, ka thënë ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Madje, për më tepër, sipas Hasanit, “kjo (futja e Rezolutës 12/44) ka pasoja të drejtpërdrejta për shtetësinë e Kosovës dhe shënon fazën të re në procesin e zhbërjes së Mendimit Këshillëdhënës të GJND për Kosovën dhe, për rrjedhojë, të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”.

“Kur të miratohet Statuti, ai dërgohet në OKB dhe futet në procedura të Këshillit të Sigurimit si pjesë përbërëse e dokumentacionit të tij për sa i takon sovranitetit dhe integritetit territorial serb, që ajo e trashëgon me këtë rezolutë dhe ngelet aty përherë. Kjo është ngjashëm si me Aneksin e Ohrit, që është pjesë përbërëse e dokumenteve të Kosovës për procesin e futjes në BE dhe në çdo strukturë tjetër evropiane, përfshirë Këshillin e Evropës”, shtoi ai.

“Kjo ka pasoja akoma ma të rënda se kaq. Së pari, pesë vendet e BE që nuk njohin Kosovës, kurrë nuk do ta bëjnë një gjë të tillë sa të jetë në fuqi Statuti me bazë juridike Rezolutën 1244. Kjo rezolutë dihet që ka figuruar një kohë në Planin Ahtisari dhe në Kushtetutën e Kosovës. Kjo ka bërë sepse me Deklaratën e Pavarësisë kemi marrë zotim të njëanshëm, por jo për zbatim të përgjithshëm të Rezolutës por për detyrimet që janë prodhuar nga zbatimi i saj deri atëherë kur u shpall pavarësia e vendit. Pas pavarësisë ajo nuk ka pasur asnjë fuqi ndaj nesh dhe vendeve që na kanë njohur. Së dyti, çdo investim i huaj në të ardhmen në pjesët e Autonomisë serbe vendoset sipas saj dhe kompetencën për këtë e ka Kuvendi i Autonomisë”.

“Ju e dini që Marrëveshja Uashingtonin akoma është në fuqi, nëse nuk e keni ditur. Aty ka zotime të Kosovës për Ujmanin, ato do të realizohen në këtë mënyrë siç po them, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me institucionet e Autonomisë serbe. Së fundi, kjo hap mundësinë në të ardhmen e afërt për rikthim të numrit të caktuar të ushtarëve serb për ruajtjen e kishave dhe objekteve të tjera kulturore – historike serbe. Kjo sot duket një utopi, por shumëçka e tillë është dukur dhe sot po e shohim me sytë tanë. Kisha Serbe ka status të njëjtë si në Serbi, këtë ia ka njohur zoti Kurti me Aneksin e Ohrit. Futja e Rezolutës 1244, po e përsëris, nuk është asgjë tjetër pos zbërthim i këtij zotimi më në praktikë”, thotë Enver Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat