Këshilli Prokurorial i Kosovës thërret takim të jashtëzakonshëm

Aktuale

Këshilli Prokurorial i Kosovës thërret takim të jashtëzakonshëm

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 20:54
Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) do të mbajë nesër (e premte) një takim të jashtëzakonshëm, pa bërë të ditur se për çfarë do të diskutohet.

Sipas njoftimit, takimi i KPK do të mbahet në orën 11:30, në sallën e takimeve, kati VI, objekti i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Ju njoftojmë se Takimi i Jashtëzakonshëm i Këshillit Prokurorial transmetohet nesër në Facebook”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Tema e diskutimit nuk është bërë e njohur nga KPK.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mos dekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Të përkujtojmë se KPK ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK ka kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani që ta dekretojë Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Në këtë letër, ndër të tjera thuhet se KPK mbetet pranë qëndrimit të 8 prillit 2023, për propozimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

Në letrën e cila mban datën 25 tetor 2023, thuhet se KPK njoftimin e Presidentes për mos dekretimin e Isufajt e konsideron si “Akt i mos dekretimit”.

Tutje, sipas kësaj letre një akt i tillë ka pikëpamje tërësisht kundërkushtetuese, si në aspektin e bazës kushtetuese ashtu edhe në arsyetimin e tij.

Janë bërë më shumë se një vit e gjysmë prej kur pozita e Kryeprokurorit të Shtetit udhëhiqet nga Besim Kelmendi si ushtrues detyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat