Bislimi thotë se qasja e LDK-së në dialog është “anemike”

Aktuale

Bislimi thotë se qasja e LDK-së në dialog është “anemike”

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 22:09
Faton Bislimi

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Faton Bislimi, thotë se sa më shpejtë që mbyllet procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, aq më mirë është për palën kosovare.

Bislimi, thotë se sa më shumë që zvarritet dialogu, kostoja për Kosovën është më e madhe.

“Dialogu është barra më e madhe që e ka Kosova mbi supe mbi 10 vjet, 12-13 vjet sa janë bërë në këtë proces të dialogut. Sa më shpejtë që ne ta përmbyllim këtë proces, aq më mirë është për Kosovën. Sepse, mund t’i kthehemi temave të brendshme, të cilat prekin direkt interesat e qytetarëve. Sa më shumë që zvarritim këtë çështje, kostoja për neve është më e madhe. Ajo çfarë besoj unë, dhe që do ta bëjë është që interesin ynë kombëtar i shtetit të Kosovës të vije në plan të parë, para gjithçkaje tjetër”, tha ai.

Ndërkohë, i pyetur se si e sheh qasjen e LDK-së në procesin e dialogut, Bislimi shprehet se ndaj këtij subjekti politik ka parë rol “anemik”.

“Kam parë rol ‘anemik’ do të thoja. Kosova ka hise në procesin e dialogut, nuk kanë partitë politike. Kam thënë dhe vazhdoj të mendoj dhe besoj fuqishëm, dialogu është çështje e interesit kombëtar të Kosovës, e kam thënë e keni në deklarimet e mia në Kuvendin e Kosovës, gjithë presioni që bëhej atëherë ndaj kryeministrit Hotit ishte kundër LDK-së. Mos harroni LDK-ja ka qenë në qeverisje në atë kohë edhe mua nuk kanë më kanë pëlqyer shumë sende në atë kohë, në atë qeverisje”, u shpreh Bislimi.

Bislimi, tha se Kosova do të duhej të bashkëpunonte me ShBA-në për përfundimin e dialogut.

“Ne sot, do të duhej të ishim krahë për krahë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta përfundonim procesin e dialogut, sidomos tash me një momentum siç është ky i tanishmi, kur ti e ki edhe Bashkimin Evropian – tre akteret e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhuar në përfundimin e kësaj çështje”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat