​Kurti-Mazanek diskutojnë mbi thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Çeki

Aktuale

​Kurti-Mazanek diskutojnë mbi thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Çeki

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 15:34
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në ekonomi, shkëmbimet tregtare, siguri, mbrojtje, diplomaci parlamentare e kulturë.

Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ai e falënderoi ambasadorin Mazanek për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës. Duke ritheksuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Mazanek për bisedën dhe angazhimin e tij.

Ndërsa ambasadori Mazanek shtoi se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.

Ndryshe, takimi i sotëm rastisi në një datë tjetër historike për Çekinë, atë të "Revolucionit të Kadifenjtë" të 17 nëntorit 1989.

Së fundmi, Kosova dhe Republika e Çekisë, ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota.

Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet.

Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave, si dhe zyrtarisht dorëzoi dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin për anëtarësim në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat