Kurti në shënimin e Ditës Botërore të Gjuhës Rome- 5 Nëntorit: Historia e gjuhës rome është e gjatë, sikurse që është edhe rruga përplot sfida për mbijetesën e saj

Aktuale

Kurti në shënimin e Ditës Botërore të Gjuhës Rome- 5 Nëntorit: Historia e gjuhës rome është e gjatë, sikurse që është edhe rruga përplot sfida për mbijetesën e saj

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 22:42
Albin Kurti

Me rastin e manifestimit të 5- Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në shënimin e kësaj dite, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Z​yrës së Kryeministrit, e cila u mbajt në qytetin e Prizrenit. 

Në këtë organizim, prezent ishin edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, Erxhan Galushi, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe komisioneri për Gjuhën, Slavisha Madenoviq. 

Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që është në mesin e tyre në shënimin e kësaj dite të rëndësishme siç është Dita Botërore e Gjuhës Rome- 5 Nëntorit. Ai tha se është krenar që kontribuojnë për këtë gjuhë, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me mekanizmat  institucionalë për të drejtat gjuhësore duke theksuar se në të gjithë botën ekzistojnë vetëm tri komuna ku gjuha rome është në përdorim zyrtar. Ai nënvizoi se një prej tyre është në Maqedoninë e Veriut, ndërsa dy të tjera janë në Kosovë: Graçanica dhe qyteti  i Prizrenit në të cilin është mbajtur edhe manifestimi i kësaj dite dhe date të rëndësishme. 

Siç theksoi kryeministri, Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet për edukimin e brezave të rinj dhe rritjen profesionale, e që janë investuar 200 mijë euro në qendra mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe kanë ofruar 500 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme. Më pas kryeministri potencoi se janë ndarë fonde për 100 bursa edhe për studentët e këtyre komuniteteve në fakultet.

"Në vitin 2022, ne kemi trefishuar numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë trajnuar në Qendrat tona të Aftësimit Profesional, dhe 35 biznese fillestare nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian kanë marrë grante nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këtë vit, edhe 35 biznese dhe fermerë nga këto komunitete kanë marrë grante. Ne kemi bashkëpunuar me policinë për ta siguruar rekrutimin më të madh të  komuniteteve në raundin e fundit" tha kryeministri drejtuar të pranishmëve. 

Kryeministri Kurti, tha se ndihet i lumtur për rastet kur përdoret gjuha rome në nivel qendror, ai me këtë rast veçoi se për herë të parë në gjuhën rome është përkthyer Strategjia për Romët dhe Ashkalitë, po ashtu edhe Strategjia dhe Plani për të Rinjtë, po përkthehet në gjuhën rome dhe atë turke, përfundoi kryeministri. 

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha  se që një gjuhë të mbahet gjallë me dokumente zyrtare, duhet të jetë e tillë edhe në përdorim të përditshëm, për komunikim mes fqinjëve, për ndarjen e lajmeve familjare, për ҫaste lumturie, për artikulimin e ëndrrave, për dashurinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat