Çfarë mesazhe përçoi Stoltenbergu në rajon

Aktuale

Çfarë mesazhe përçoi Stoltenbergu në rajon

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 00:22
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Të hënën, më 20 nëntor Shefi i Organizatën së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) shkeli në Kosovë për t’i përçuar disa mesazhe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë më 20 nëntor se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

Stoltenberg në Prishtinë

“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

“Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.

Duke folur për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit nga një grup i serbëve të armatosur, ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku, Stoltenberg tha se përgjegjësit për sulmin duhet të përballen me drejtësinë.

Ai tha se këtë mesazh do ta përcjellë edhe gjatë takimeve që do të zhvillojë më 21 nëntor në Beograd.

“Në shtator ne pamë një shpërthim serioz të dhunës në veri të Kosovës, që rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor. Në maj, trupat tanë të KFOR-it u sulmuan, me ç’rast u plagosën 93 ushtarë, disa rëndë, disa me plagë të përjetshme”, tha Stoltenberg.

“Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, shtoi shefi i NATO-s.

“Themelimi i Asociacionit hap kyç drejt normalizimit”

Stoltenberg, po ashtu, mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg.

I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të aleancës ushtarake perëndimore, Stoltenberg tha se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës.

Stoltenberg në Bosnjë dhe Hercegovinë

Para Kosovës, Stoltenberg qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Në Sarajevë shefi i NATO-s tha se aleanca është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon.

Shefi i NATO-s porositi që të gjithë të përkushtohen për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.

Vizita e Stoltenbergut në rajon vjen mes paralajmërimeve nga Ukraina se Rusia synon të nxisë konflikt mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Stoltenberg në Beograd

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.

Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Serbia, në periudhën e kaluar, disa herë ka vendosur trupa pranë kufirit me Kosovën. Kurse, herën e fundit i vendosi pas sulmit në Banjskë, por e ka tërhequr ushtrinë pas ndërhyrjes diplomatike të Perëndimit.

Stoltenberg, po ashtu, tha në Beograd se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.

“Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiqin.

Stoltenberg tha se temë e bisedës me Vuçiqin ishte edhe sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gjatë protestës së komunitetit serb në Zveçan, në fund të majit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha ai.

Ai tha se me Vuçiqin ka biseduar edhe për rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta të Forcave të Armatosura të Serbisë me forcat e NATO-s.

“Kjo nuk cenon neutralitetin e Serbisë. Serbia e ka bërë të qartë se ajo mbetet ushtarakisht neutrale, jashtë blloqeve ushtarake”, vlerësoi ai, duke shtuar se Serbia është një aktor i rëndësishëm rajonal dhe një partner afatgjatë i NATO-s dhe se shembull i mirë i bashkëpunimit është pjesëmarrja e Serbisë në programin Partneriteti për Paqe.

Serbia ndaloi stërvitjet ushtarake ndërkombëtare pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022.

Duke komentuar kërkesën e Perëndimit që Serbia të mos e grumbullojë ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përgjigj se ushtria serbe “kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj”.

“E, ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, shtoi ai.

Kur është fjala për hetimin e sulmit në Banjskë, Vuçiqi tha se “ai ka një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kupton kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”.

“Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë”, shtoi ai.

Vuçiqi e cilësoi bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe misionin e KFOR-it, si të mirë dhe korrekt.

Vuçiq, po ashtu, tha se do t’i dërgojë kërkesë Qeverisë së Serbisë që të shqyrtojë vendimin për të marrë pjesë sërish në stërvitjet e përbashkëta “me NATO-n dhe partnerët e tjerë”.

Stoltenberg në Shkup

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën në Shkup se Aleanca Veri-atlantike do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, apo kërcënim ushtarak ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-së apo edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit që zhvilloi me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, kur u pyet të komentojë deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po synon të nxisë konflikt në rajon.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithsesi se jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, KFOR-in në Kosovë, shtabin e përgjithshëm në Sarajevë dhe zyrën në Beograd dhe jemi të përgatitur që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo aleat nga çfarëdo qoftë kërcënimi”, tha Stoltenberg.

Kreu i NATO-s përsëriti mesazhin e aleancës për Rusinë se “duhet të përmbahet nga veprimet agresive ndaj fqinjëve dhe gjithsesi t’i japë fund agresionin ndaj Ukrainës”.

Stoltenberg, i cili arriti në Shkup pas vizitës në Beograd, tha se “siguria e Ballkanit Perëndimor është e një rëndësi të veçantë për NATO-n” dhe më këtë rast përmendi disa arsyeje që paraqesin “brengosje për aleancën”.

“Në Bosnjë Hercegovinë u paraqiten tensione dhe këtu inkurajoj liderët politikë që të përmbahen nga ndarjet dhe retorika secesioniste, ndërsa përpjekjet e tyre t’i orientojnë drejt pajtimit dhe të ardhmes paqësore”, tha kreu i NATO-s.

Shefi i NATO-s do ta përmbyllë turneun ballkanik me një takim të mërkurën në Shkup me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat