​Kurti për 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit: Ishte vendimtar për alfabetin e shqipes

Aktuale

​Kurti për 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit: Ishte vendimtar për alfabetin e shqipes

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 17:56
Kongresit i Manastirit

Kryeministri Albin Kurti ka uruar shqiptarët në 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit, duke theksuar se qëllimi i këtij kongresi ishte zgjidhja e problemit të të shkruarit të gjuhës shqipe, që gjatë shekullit të 19-të dhe deri atë kohë, shkruhej njëkohësisht me disa alfabete dhe variante të ndryshme.

“I paraparë të mbahej në Janinë, dy vite pas Kongresit të Manastirit (1908), më 2 dhe 3 prill 1910, sërish në qytetin e Manastirit, u mbajt Kongresi i Dytë i Manastirit i kryesuar nga Bedri Pejani. Ky ishte vendimtar për alfabetin e shqipes me shkronja latine, alfabetin me 36 shkronja me të cilën prej atëherë dhe deri sot është shkruar shqipja dhe alfabetin me të cilin është shkruar edhe ky tekst këtu”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot janë bërë 115 vite nga dita kur u hodhën themelet e unifikimit të shqipes së shkruar! 22 tetori i vitit 1908 është data e seancës së fundit të mbledhjeve dhe të diskutimeve të Kongresit të Manastirit, që i kishte filluar punimet më 14 nëntor. Qëllimi i këtij kongresi kombëtar shqiptar, ishte zgjidhja e problemit të të shkruarit të gjuhës shqipe, që gjatë shekullit të XIX dhe deri atë kohë, shkruhej njëkohësisht me disa alfabete dhe variante të ndryshme.

Mbi 50 delegatë nga e gjithë Shqipëria dhe nga kolonitë shqiptare të diasporës, u mblodhën në qytetin e Manastirit për ta zgjidhur çështjen e alfabetit të shqipes. 32 delegatë nga 26 qytete të ndryshme kishin të drejtë vote, kurse 18 delegatë të tjerë u përfshinë në diskutime pa të drejtë vote. Ata e zgjodhën për kryetar të kongresit Mithat Frashërin, që atë kohë botonte dy revista në Selanik: “Lirija” dhe “Diturija”. Shënimet e botuara prej tij në revistën “Lirija”, paraqesin një burim autentik për historinë e Kongresit të Manastirit. Atyre duhet shtuar edhe raporti për punimet e Kongresit të Manastirit, i hartuar në gjuhën angleze nga Gjergj Qiriazi, nënkryetari i kongresit. Tashmë janë të mirënjohura telegramet e dërguara nga të gjitha kolonitë shqiptare në mbështetje të Kongresit të Manastirit, sikur ai i Fan Nolit, sikur edhe fjalimet e fuqishme të Gjergj Fishtës, Kryetarit të Komisionit të Alfabetit.

Diskutimet u përqendruan te tre alfabetet më të përhapura të shqipes: alfabeti i Stambollit, alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” dhe alfabeti i shoqërisë “Agimi”. Në përmbyllje të punimeve të Kongresit, në vendim u shkrua: “Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”

Ky përcaktim për të lënë në përdorim të përkohshëm dy alfabete, u pasua nga vendimi për një kongres të dytë që u mendua të mbahej pas dy vitesh në Janinë. Ndërkohë, duke e kundërshtuar përcaktimin e elitës intelektuale dhe patriotike shqiptare për ta shkruar shqipen me alfabet shkronjash latine, xhonturqit organizuan në hije Kongresin e Dibrës më 23 korrik 1909, ku u mbrojt ideja e të shkruarit të shqipes me alfabet shkronjash arabe.

I paraparë të mbahej në Janinë, dy vite pas Kongresit të Manastirit (1908), më 2 dhe 3 prill 1910, sërish në qytetin e Manastirit, u mbajt Kongresi i Dytë i Manastirit i kryesuar nga Bedri Pejani. Ky ishte vendimtar për alfabetin e shqipes me shkronja latine, alfabetin me 36 shkronja me të cilën prej atëherë dhe deri sot është shkruar shqipja dhe alfabetin me të cilin është shkruar edhe ky tekst këtu.

Urime 115-vjetori i Kongresit të Manastirit, të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë atyre që e shkruajnë shqipen dhe e kultivojnë shqipen e shkruar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat