Grabitja që tronditi Suharekën: Plaçkitësit vodhën ari në vlerë të 250 mijë euro, gjuajtën Policinë dhe ikën

Aktuale

Grabitja që tronditi Suharekën: Plaçkitësit vodhën ari në vlerë të 250 mijë euro, gjuajtën Policinë dhe ikën

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 18:59
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një grabitje e armatosur si në filma ka ndodhur pasditen e sotme në argjendarinë “Diakos” në Suharekë, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes Policisë dhe hajnave dhe për pasojë një zyrtar policor ka mbetur i plagosur.

Polici që mbeti i plagosur është Avdullah Hoxha, i cili po intervenonte bashkë me kolegët e tij në këtë rast.

Gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë, teksa katër të dyshuarit kanë arritur të arratisen nga vendi i ngjarjes.

Tashmë janë publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, nga ku mund të shihet se plaçkitësit e kanë zbrazur dyqanin dhe sipas informacioneve të para, vlera e stolive që u grabitën është 250 mijë euro.

Prokurorja Ervehe Gashi nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka konfirmuar se vlera e arit që u vodh sot në argjendarinë në Suharekë është 250 mijë euro.

Prokurorja Gashi deklaroi se nga kjo ngjarje dy policë kanë mbetur të lënduar.

Fillimisht shihen tre të dyshuarit brenda argjendarisë, ku i mbushin çantat, ndërsa i katërti bën roje me kallashnikov.

Siç shihet në pamjet pas disa minutash, në vendin e ngjarjes arrin Policia, ku njëri polic del nga vetura zyrtare dhe aty nis shkëmbimi i zjarrit.

Për pasojë, i njëjti zyrtar policor pëson lëndime teksa po intervenonte, ndërsa një zyrtar policor tjetër është plagosur me armë zjarri.

Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Aliu ka dhënë detaje shtesë në lidhje me grabitjen e armatosur në Suharekë.

Ai ka bërë të ditur se nga ky incident përveç një polici të plagosur, ka mbetur edhe një tjetër i lënduar.

“Grabitësit kanë plagosur një polic. Kanë dëmtuar veturën e policisë. Kanë arritur të marrin një sasi të arit në argjendari, pronari i lokalit nuk është i lënduar. Në këtë rast ka pasur shkëmbim zjarri në mes policisë e grabitësve, edhe një polic që ka gjuajtur në drejtim të grabitësve është i lënduar në krah por jo si pasojë e armës së zjarrit”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë se të dyshuarit kanë qenë të maskuar, kanë pasur armë të gjata me vete dhe një veturë hiri që rezulton të jetë me targa të vjedhura.

“Janë katër persona të dyshuar që ishin të pajisur me arma të gjata, vetura ngjyrë hiri, me targa 01, që ka rezultuar të jetë e vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të tyre ende”, ka vijuar ai.

Ai ka thënë se të dyshuarit kanë vënë pengesa në rrugë që të pengojnë qarkullimin e qytetarëve.

Në vend të ngjarjes është edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala i cili ka thënë se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në ndriçim të rastit.

“Jemi duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme, veprimet ligjore në drejtim të identifikimit të kryesve të kësaj vepre andaj edhe ne kërkojmë nga qytetarët që të japin informacione çfarëdo që kanë që ti sjellim ata para drejtësisë”, ka thënë Shala.

Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë.

Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, ka thënë se ka filluar një operacion i gjerë për kapjen e katër personave të dyshuar.

Ai tha se hetimet janë duke vazhduar dhe se pritet që të dyshuarit të kapen nga Policia.

“Patrullat tjera janë nisur menjëherë në vend të ngjarjes janë duke nxjerrë provat apo dëshmitë nga vendi, janë intervistuar dëshmitarët. Është ngritur “unaza e çeliktë”, një operacion kur ka grabitje apo raste të rënda. Një prej operacioneve më të gjera është urdhri për “unazën e çeliktë”, e cila urdhëron të gjitha patrullat e Policisë të angazhohen në rastin konkret. Është shumë herët të flasim kush janë të dyshuarit. Hetuesit po marrin informacione të shihen videoincizimet, shumë shpejt mund të merren informacione që t’i gjejmë”, tha ai.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i forenzikës dhe ekipet e tjera për ta hetuar rastin.

Tashmë nga vendi i ngjarjes është larguar edhe vetura patrulluese e Policisë, e cila kishte qenë në vend të ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat