Drejtori i Policisë në Prizren: Vetura e plaçkitësve në Suharekë kishte targa të vjedhura

Aktuale

Drejtori i Policisë në Prizren: Vetura e plaçkitësve në Suharekë kishte targa të vjedhura

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 19:55
Faton Alija

Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit, Faton Alija, ka dhënë detaje për grabitjen e argjendarisë në Suharekë ku mbeti i plagosur një polic.

Alija tha se një patrullë që ishte më afër të vendit të ngjarjes, është ndalë për të intervenuar në ngjarjen në zhvillim.

“Si pasojë një polic është i lënduar në këmbë nga arma e zjarrit, e ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është jashtë rrezikut për jetë. Me armë të gjatë është gjuajtur në drejtim të policisë, po ashtu është dëmtuar edhe vetura e policisë”.

“Një zyrtar policor ka gjuajtur në drejtim të grabitësve, domethënë ka pasur shkëmbim zjarri, ai është i lënduar në krahun e djathtë por jo si pasojë e armës së zjarrit”, deklaroi Alija.

Ai bëri të ditur se punëtori i lokalit nuk ka pësuar lëndime nga kjo ngjarje, ndërsa shtoi se grabitësit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit.

Alija shtoi se deri më tani sipas informacioneve që kanë, vetura e të dyshuarve është ngjyrë hiri, me targa të vjedhura diku tjetër, ndërsa të dyshuarit janë larguar në drejtim të fshatrave që lidhen me drejtim të Ferizajt.

Tutje ai bëri të ditur se të dyshuarit i kanë gjuajtur disa pengesa në rrugë, për të penguar lëvizjen e qytetarëve apo edhe të policisë, ndërsa tha se në vendin e ngjarjes është edhe kryeprokurori, hetuesit rajonalë, dhe inspektorati policor.

Drejtori tregoi gjithashtu se çfarë masa janë marrë për kapjen e tyre.

“Është njoftuar edhe policia kufitare dhe qendra në Prishtinë, është organizuar ‘Unaza e çeliktë’ që të merren të gjitha veprimet operative dhe me qëllim të ndriçimit dhe marrjes së informatave për personat e dyshuar. Janë katër persona të maskuar me armë të gjata, me një veturë ngjyrë hiri, me targa 01 por targë që ka rezultuar se është vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të të dyshuarve”, deklaroi për Klankosova.tv, drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit.

Ai gjithashtu bëri thirrje që ata të cilët kanë ndonjë informatë që mund t’i ndihmojë policisë për kapjen e të dyshuarve, t’i njoftojnë organet ligjzbatuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat