Gashi: Rezistenca e policisë ndaj grabitësve në Suharekë ishte e dobët

Aktuale

Gashi: Rezistenca e policisë ndaj grabitësve në Suharekë ishte e dobët

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 21:54
Kreshnik Gashi

Në studio të “Debat Plus-it” është duke u diskutuar grabitja e rëndë në një argjendari në Suharekë nga katër persona të dyshuar, ku u plagos një polic dhe një tjetër u lëndua.

Duke e komentuar grabitjen dhe mënyrën se si erdhi deri te kjo grabitje, gazetari Kreshnik Gashi tha se grupi ka pasur informata të sakta për numrin e patrullave të Policisë në qytetin e Suharekës.

Duke e analizuar numrin e veturave të Policisë, sipas Gashit, ka qenë e lehtë pastaj ikja nga vendi i ngjarjes.

“Grupi shihet që ka mbërritur të sigurojë informacionin ku është Policia e vendosur me patrullë, e kanë ditur saktësisht ku e kanë e ku i vjen prita. Grupi ka arritur t’ia sigurojë vetes rrugë të qetë e të sigurt për arratisje. Mundesh shumë lehtë me ditë sa patrulla i ka në ndërrim Suhareka, duke ia numru veturat. E çon një veturë tjetër te rruga ‘Avdyl Rama’ dhe e siguron rrugën e qetë”, tha ai.

Gashi tutje tha se rezistenca e Policisë së Kosovës ka qenë e dobët, duke theksuar se vetëm dy policë janë përballur me grabitësit.

“Rrugët malore që janë të papatrulluara deri në Ferizaj e kanë pasur rrugën e qetë të sigurt… Ka qenë rrugë lehtë, ka qenë plan lehtë i përpiluar, rezistenca e Policisë ka qenë e dobët. Vetëm një makinë është përballur me ta, vetëm dy policë janë përballur me ta, s’kemi njësi që i kanë përgjigjur thirrjes, kjo kallëzon sa është e gatshme Policia të reagojë për situata të tilla edhe në pikë të ditës”, tha ai.

Gashi tha se reagimi i patrullës së parë ka qenë shumë i shpejtë, por nuk kanë pasur përkrahje nga patrulla të tjera.

“Reagimi i patrullës së parë ka qenë shumë i shpejtë, por këta e kanë ditur se kanë superfuqi, krahasuar me Policinë, sepse kanë qenë me armë të gjata, policia e ka pasur problem të përballet me ta”, tha ai.

Gashi u shpreh se vetura me të cilën ikën grabitësit ishte me xhama të zi, dhe se sipas tij, është e pakuptimtë si është lejuar qarkullimi nëpër qytet pa u ndalur nga Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat