Grabitja në Suharekë, prokurorja Gashi: Hetimet janë në fazën fillestare

Aktuale

Grabitja në Suharekë, prokurorja Gashi: Hetimet janë në fazën fillestare

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 23:20
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prokurorja Ervehe Gashi nga Prokuroria Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se megjithëse ende nuk ka mundur ta konfirmojë kohën e vendosjes së “unazës së çeliktë” nga Policia, ajo është në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit dhe po vlerëson një lidhshmëri të mundshme me një rast të ndodhur në Ferizaj.

Gashi ka thënë se nëse konfirmohet një lidhje e tillë, çështja do të transferohet te Prokuroria Speciale e Kosovës për vazhdim të hetimeve.

“Sa i përket ‘unazës së çeliktë’, nuk kemi marrë informacione se për kohën kur është vendosur unaza e çeliktë. Në raportin zyrtar se kur është vendosur unaza e çeliktë, prandaj nuk mund të them nëse është vendosur në kohë apo jashtë kohës. Në momentin kur unë së bashku me hetuesit e çështjes jemi të bindur se ekziston një lidhshmëri mes këtyre rasteve, atëherë kemi të bëjmë më një grup të strukturuar mirë dhe me një krim të organizuar dhe ajo nuk është objekt i hetimit i Prokurorisë Themelore në Prizren, atëherë lënda edhe çështja do t’i kalohet Prokurorisë Speciale të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Ajo gjithashtu ka shtuar se për momentin po merren me disa pista hetimi dhe po intervistojnë dëshmitarë dhe viktima në lidhje me ngjarjen.

Megjithatë, prokurorja nuk ka treguar detaje të hollësishme, duke theksuar se kjo bëhet për ta mbrojtur integritetin e hetimeve dhe për të parandaluar pengime në procesin e kapjes së të dyshuarve.

Ajo gjithashtu nuk ka konfirmuar as mohuar lidhjen e mundshme me rastin në Ferizaj, por nuk ka përjashtuar mundësinë e kontakteve të ardhshme me Prokurorinë e Ferizajt.

“Ne jemi duke u marrë me disa pista të hetimit, por për më tepër unë nuk mund të deklarohem, sepse atëherë do të rrjedhin informacione, të cilat mund të e pengojnë kapjen e të dyshuarve. Sot jemi marrë vetëm me çështje teknike me lëshimin e urdhëresave edhe me ndërmarrjen e veprimeve tjera hetimore, por sidoqoftë nëse paraqitet nevoja, ne do të kontaktojmë më Prokurorinë e Ferizajt. Prokuroria nuk ka bërë akoma një intervisitim të tillë”, ka deklaruar tutje ajo.

Hetimet nga Policia dhe Prokuroria, sipas saj, janë ende në fazën fillestare dhe pritet një raport i detajuar nga autoritetet pas përfundimit të veprimeve të tyre hetimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat