111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, historiani tregon se a mund të ketë bashkim kombëtar

Aktuale

111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, historiani tregon se a mund të ketë bashkim kombëtar

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 19:46
Frashër Demaj

Edhe sot, në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk shuhet kureshtja se a do të ketë bashkim të trojeve shqiptare në një shtet kombëtar.

Historiani, Frashër Demaj, vlerësoi që tani për tani, bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pamundur.

Mirëpo sipas tij, dëshira për bashkim kombëtar mund të realizohet, për aq kohë se këta dy popuj nuk heqin dorë nga ideja e tyre për ribashkim.

“Askush nuk mund ta ndalojë pretendimin dhe dëshirën e një populli, qofshin ato dëshira kulturore e politike, qofshin ato dëshira të tjera. Ndërsa, çështjen e bashkimit të shqiptarëve, them se popujt të cilët nuk heqin dorë nga dëshira dhe pretendimet e tyre, herët a vonë mund t’i realizojnë ato pretendime. Unë nuk besoj që shqiptarët kanë hequr dorë. Edhe në vitet e mëvonshme, shqiptarët pothuajse asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga ideja e tyre për t’u ribashkuar me Shqipërinë. Ishte e pamundur të realizohej bashkimi kombëtar i shqiptarëve, edhe sot është e pamundur. Së pari, Kosova nuk funksionon në normalitetin e saj të plotë politik dhe nuk e ushtron sovranitetin e saj politik në tërë territorin e Kosovës si dhe politika kosovare duhet sa më shumë të investojë në drejtim të fuqizimit dhe stabilitetit të shtetit”, deklaroi Demaj.

Madje, historiani tha se Shqipëria duhet ta mbështesë me tërë forcën Pavarësinë e Kosovës në të gjitha forumet ndërkombëtare.

“Shqipëria duhet ta mbështesë me forcë nëpër të gjitha forumet ndërkombëtare Pavarësinë e Kosovës. Shqipëria dhe Kosova, të dyja së bashku, duhet të bëjnë përpjekje politike dhe diplomatike që ta ngrisin nivelin e perspektivës dhe të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginë”, potencoi Demaj.

Shqipëria sot feston 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Kujtojmë se sot në Vlorë u mbajt ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit, ku pjesëmarrës kanë qenë presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, Albin Kurti dhe kryetarja Lindita Nikolla.

Në përfundim të kësaj ceremonie të katërt u takuan me qytetarë të Shqipërisë e Kosovës, pjesëmarrës në ceremoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat