​Klinaku: Protestën e PSD-së e mbështetëm për të kundërshtuar veprimin e Trendafilovas

Aktuale

​Klinaku: Protestën e PSD-së e mbështetëm për të kundërshtuar veprimin e Trendafilovas

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 15:33
Faton Klinaku

Protestën e Partisë Socialdemokrate kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, e ka mbështetur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku.

Para eskalimit të protestës, Klinaku theksoi se do të ishte mirë që Trendafilova të ftoj në këtë diskutim së pari OVL-UÇK-në, për të shprehur sic tha ai kritikat ndaj Gjykatës Speciale për ndalimin e komunikimit të paraburgosurve me familjarë dhe vizitorë.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa anëtarë të Partisë Socialdemokrate, përfshirë edhe kryetarin Dardan Molliqaj

“Edhe pse nuk jemi organizator, protestën që e ka thirrur PSD e kemi mbështetur për shkak se ne edhe ashtu si Organizata të dala nga lufta, konsiderojmë që nuk është roli i gjykatësit apo i kryetares së Gjykatës Speciale që të merret apo të diskutojë me shoqërinë civile e me mediat për gjëja çfarë zhvillimesh po ndodhin në Gjykatën Speciale. Do të bënte mirë Trendafilova që të bënte diçka për më shumë të drejta të njeriut që ua shkelin atje të paraburgosurve. Siç e dini në rastin e fundit ua kanë ndaluar edhe komunikimet me familjarë e me vizitorë, gjë që me të vërtet është absurde që të ndalohet kjo… Do të ishte mirë që Trendafilova të parin që do të duhej ta ftonte për të diskutuar, do të duhej që të na ftonte neve në këtë takim, shoqëri civile jemi edhe ne, sepse Organizata e Veteranëve të Luftës është OJQ. Natyrisht që edhe en kishim marrë pjesë, ndoshta e kishim bërë ndonjë pyetje ose ndonjë kritikë gjë që është shumë e arsyeshme, sepse të gjithë I kemi të drejtat qoftë për të protestuar ose edhe për ta kritikuar Gjykatën Speciale nëse atyre iu shkelen të drejtat e njeriut”, theksoi ai.

Ndërsa, Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate theksoi se nuk do të lejojnë që ‘Gjykata Speciale e pa drejtë me u bërë normale’.

“Takimi i sotëm e kemi ftuar në orën 14:30, por ashtu si po e kuptojmë, pas paralajmërimit të protestës sonë Trendafilova e famshme ka hyrë fshehurazi dhe I ka ftuar edhe pjesëtarë tjerë me hyrë më herët. Ne nuk guxojmë me lejuar që një gjykatë e tillë e pa drejtë me u bërë normale. Sa herë kemi mundësi për çdo rast duhet me kundërshtua. Është e shëndetshme për shoqërinë, për demokracinë e mbi të gjithë për drejtësinë”, tha ai.

Policia e Kosovës ka përdorur gazlotësjellës për shpërndarjen e protestuesve të cilët gjendeshin para njërit nga hotelet në Prishtinës, ku pritej të zhvillohej një takim në mes kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ndryshe, Trendafilova ndodhet për vizitë në Kosovë dhe po mban një takim me përfaqësues të shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat