​Trendafilova: Nuk ka pasur asnjëherë presion apo ndërhyrje te gjyqtarët

Aktuale

​Trendafilova: Nuk ka pasur asnjëherë presion apo ndërhyrje te gjyqtarët

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 17:42
Ekaterina Trendafilova

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova deklaroi se nuk ka pasur asnjëherë presion dhe ndërhyrje në punën e gjyqtarëve.

Sipas saj, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara nuk do të komprometojnë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë, ajo komentoi edhe kërkesën urgjente të prokurorisë për ndërprerjen e të gjitha vizitave dhe komunikimeve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Megjithatë, nuk komentoi edhe dënimin prej 26 vjetësh për Salih Mustafën, teksa u pyet nëse një vendim i tillë është i drejtë.

Në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile, kryetarja e Dhomave të Specializuara u shpreh se udhëhiqen nga ligji dhe nuk kanë presion apo ndërhyrje.

Trendafilova: Nuk ka pasur asnjëherë presion në atë që ne bëjmë

“Nuk ka pasur asnjëherë presion, ndërhyrje në atë që ne bëjmë. Ne udhëhiqemi nga ligji dhe nga faktet e çështjes, kaq, dhe këtë e pohoj për të gjithë kolegët, për të gjithë gjyqtarët. Unë nuk po i mbroj ata. Ju duhet të jeni të sigurt se unë jam shumë e vëmendshme kur vëzhgoj, sepse është interesante për mua, është e rëndësishme kur t’ju takoj është mirë të kem përgjigje bazuar në përshtypjen time personale se si zhvillohet seanca. Për këtë, jam absolutisht, plotësisht e sigurt se nuk ka asnjë ndërhyrje, ji i sigurt për këtë”, deklaroi ajo.

Më tej, ajo shtoi se gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk do të komprometojnë asnjëherë zbatimin e drejtë të ligjit.

Trendafilova: Nuk do të turpërohem të përballem me ju

‘Gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk do të komprometojnë kurrë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës. Dhe në një kohë që do të vijë, do të takohemi dhe nuk do të turpërohem të përballem me ju, ju që më thoni në fakt kjo nuk është e vërtetë. Por kjo është se si funksionon. Nuk është e mundur, për shembull, ajo që ka ndodhur javën e kaluar me z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi, për të cilët është marrë vendim i ndërmjetëm nga gjyqtarët. Vendim i ndërmjetëm për t'u izoluar dhe gjithashtu për t'u kufizuar në komunikimin e tyre pa diskutim, absolutisht me avokatët e tyre, nuk ka dyshim për këtë dhe me disa familjarë. Por gjyqtarët dhanë, siç thonë ata, vendim të ndërmjetëm. Pse? Sepse donin të merrnin një justifikim të duhur, domethënë të siguronin fakte dhe prova nga prokurori specialist që i sheh me këtë kërkesë urgjente, me këtë ‘mocion urgjent’ - kështu u quajt”, deklaroi ajo.

Ditë më parë, Gjykata Speciale ka marrë vendimin lidhur me kërkesën urgjente të prokurorisë për ndërprerjen e të gjitha vizitave dhe komunikimeve për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kryetarja e Gjykatës Speciale deklaroi sot se do të merret vendimi përfundimtar për këtë mocion urgjent.

Trendafilova: Pritet vendimi përfundimtar për këtë mocion urgjent të prokurorit

“Sa i përket kushteve mendoj se e kam shpjeguar se trupi gjykues i dytë për rastin e madh pritet të marrë vendim përfundimtar për këtë mocion urgjent të prokurorit për kufizimin e komunikimeve të tre të akuzuarve, Thaçi, Veseli dhe Selimi. Pasi të marrim mendimet e atyre, prokurorit, kryesekretarit dhe me shumë gjasa të mbrojtjes, natyrisht, do të shohim se çfarë do të vendosin. Por siç thashë, është e domosdoshme që takimet me Këshillin e tyre nuk mund të kufizohen fare, dhe ky është një takim i lirë pa asnjë monitorim, kjo është marrëdhënia e shenjtë midis klientit dhe këshilltarit të tij. Për sa i përket familjarëve, gjyqtarët do të vendosin se kush nga familja e ngushtë do të dëshironin që secili nga tre të akuzuarit të ketë vizita dhe takime të vazhdueshme që do të bëhen”, deklaroi Trendafilova.

Trendafilova nuk komentoi dënimin për krime lufte prej 26 vitesh për Salih Mustafën, teksa u pyet nëse një vendim i tillë është i drejt.

Trendafilova: Si mund të komentojë këtë?

“Më pyetët për 26 vitet e z. Mustafa. Si mund të komentoj këtë? Ky rast mund të shkojë në Dhomën e Specializuar. Më 14 dhjetor, Dhoma e Apelit do të marrë aktgjykimin, por më pas ai është subjekt i shqyrtimit nëse Mustafa dëshiron... në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Supreme. Unë respektoj vendimin e marrë nga gjyqtarët e pavarur. Nuk mund të bëj një koment për këtë. Nëse do të bëja një koment, nëse sigurisht që ai (Mustafa) do të bëjë një referim në Gjykatën e Lartë, ju do të keni të gjitha arsyet për të kërkuar që të diskualifikohem për këtë çështje, nëse unë shpreh një mendim; nuk mundem”, u shpreh ajo.

Teksa komentoi zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetarja Ekaterina Trendafilova foli edhe për proceset gjyqësore që po zhvillohen.

Trendafilova: Jemi në pritje të aktgjykimit të dhomës së apelit për rastin e Mustafës

“Dhe të hënën, dhoma e apelit që ishte... nga z. Mustafa, ka lëshuar urdhrin për caktimin e datës 14 dhjetor. Kështu që brenda disa ditëve të javës së ardhshme, kur kolegji i apelit do të vijë në sallën e gjyqit dhe ata do të japin gjykimin e tyre, askush nuk e di se çfarë do të vendosin për të njëjtën çështje, një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte në prill, të këtij viti, dhënien e aktgjykimit të urdhrit të dëmshpërblimit. E korrigjoj veten, nuk ishte aktgjykim, ishte një urdhër sipas të cilit tetë prej viktimave, të cilëve u është dhënë statusi i pjesëmarrjes në këtë rast, u është dhënë edhe dëmshpërblim. Dhe tani le të shohim se si do të zhvillohet më tej kjo çështje. Jemi në pritje të aktgjykimit të dhomës së apelit, i cili ka të bëjë me dënimin dhe me aktgjykimin në themel të çështjes, urdhri i dëmshpërblimit nuk është ankimuar në dhomën e apelit, por megjithatë do të ndikohet varësisht se si gjyqtarët do të vendosin për krimet e supozuara të kryera për të cilat Mustafa është dënuar nga gjykata themelore”, tha ajo.

Para fillimit të kësaj konference, është mbajtur një protestë e organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ku ka eskaluar edhe në dhunë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat