Cakolli: Zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë pa marrëveshje

Aktuale

Cakolli: Zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë pa marrëveshje

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 09:31
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka deklaruar se nuk do të duhet të prishet praktika e krijuar sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ai, ka thënë se ato nuk duhet të lejohen të mbahen në Kosovë pa pasur ndonjë marrëveshje.

“Në radhë të parë besoj se Kosova nuk do të duhej ta prishte praktikën e sapo krijuar të mos lejimit të zgjedhjeve serbe pa pasur një marrëveshje. Unë konsideroj se kërkesa e dërguar nga Beogradi zyrtar përmes zyrës së OSBE-së ka qenë arsye e mjaftueshme në radhë të parë që të refuzohet kërkesa si e tillë pa pasur nevojë të lëshohemi fare në diskutime tjera mbi përmbajtjen, modalitetin dhe formën”, ka deklaruar Cakolli.

E, në rast se edhe kërkesa do të vinte direkt në Qeverinë e Kosovës, Cakolli beson se përgjigja do të ishte përsëri e njëjtë.

“Unë vlerësoj që më e udhës do të ishte që as mos të vije direkt kërkesa në Qeverinë e Kosovës sepse jam i bindur që përgjigja do të ishte e njëjtë. Por, do të duhej se kjo si çështje në tërësi të shihej si pjesë e një rregullimi më të madh mbi bazë reciproke të çështjes së të drejtave të votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi, por edhe të shqiptarëve të cilët jetojnë në Serbi në raport me zgjedhjet e Kosovës”, ka shtuar ai.

Kurse, për kërkesën që Zyra Ndërlidhëse e ka bërë përmes OSBE-së, Cakolli thotë se është bërë me tendencë.

“Kërkesa si e tillë në formatin e parashtruar është më shumë tendencë për t’i bërë presion Kosovës për ta paraqitur atë si palë desktruktive dhe e cila nuk i respekton të drejtat e minoriteteve sesa në të vërtetë ka pasur pritshmëri që mund të ketë një vlerësim pozitiv”, është shprehur ai.

Sipas tij zgjidhja për zgjedhjet aktuale të Serbisë në Kosovë nuk ekziston pasi kanë mbetur më pak se tri javë.

Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Më pas ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar.

Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë  kërkesë direkte Kosovës për mbajtje të këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.

Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat