Gjykimi ndaj rojeve të pyllit, 6 të akuzuar japin mbrojtjen, ndërsa 7 të tjerë mbrohen në heshtje

Aktuale

Gjykimi ndaj rojeve të pyllit, 6 të akuzuar japin mbrojtjen, ndërsa 7 të tjerë mbrohen në heshtje

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 18:29
Arkiv

Ferizaj- Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në gjykimin ndaj rojeve etë pyllit në Ferizaj, gjashtë të akuzuar kanë dhënë mbrojtjen, kurse shtatë të tjerë u mbrojtën në heshtje.

Në këtë rast, të akuzuarit Sabedin Mustafa, Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj, Ali Kosumi, Rasim Avdyli dhe Isuf Qerkini janë mbrojtur në heshtje. Ndërsa, të akuzuarit Beqë Uka, Hasim Balija, Ahmet Bajraktari, Avdi Agushi, Naim Avdyli dhe Heset Neziri, kanë dhënë mbrojtjen e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, pas udhëzimeve të kryetarit të trupit gjykues, Habib Zeqiri, i akuzuari Sabedin Mustafa pasi deklaroi se do të shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje, në këtë fazë të procedurës deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

“Nuk do të deklarohem në lidhje me akuzën dhe do të shfrytëzoj të drejtën time që të mbrohem në heshtje. Mirëpo, pas konsultimeve me mbrojtësin tim, avokatin Naim Ferati e pranoj fajësinë për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha i akuzuari Mustafa.

Gjykatësi Zeqiri mori aktvendim, në bazë të së cilit aprovoi fajësinë nga ana e të pandehurit dhe njoftoi se shqiptimi i sanksionit penal do të bëhet në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. 

I akuzuari Beqë Uka deklaroi se si roje pylli punon që nga viti 2016, kurse për datën që e ngarkon akuza tha se i ka kryer detyrat sipas rregullave të pylltarisë.

“Sa i përket datës 02 shtator 2020 për të cilën akuzohem, kam takuar një person i cili kishte qenë duke mbledhur drunj – rrema të drunjve, të njëjtin e kam takuar pasdite, mirëpo të njëjtin e kam takuar edhe gjatë mbrëmjes, unë të njëjtin nuk e  kam identifikuar, gjatë mbrëmjes kur unë e kam takuar atë person kam qenë me veturë zyrtare, ndërsa ky person ka qenë me një mjet kultivator, në të cilin kishte të ngarkuar rrema të drunjve”, deklaroi i akuzuari Uka.

Sipas të akuzuarit Uka, me veprimet ose mosveprimet e tij, nuk ka qenë i dëmtuar Agjencioni Pyjor.

Prokurorja Sebahate Sinani e ka pyetur të akuzuarin Uka, se a është e vërtetë që kur ka takuar personin në fjalë kishte qenë me veturë zyrtare dhe a ka qenë vetëm apo me dikënd.

I akuzuari Uka tha se është e saktë që ka qenë me veturë zyrtare në orar të punës, kurse gjatë ditës tha se kishte qenë vetëm, e në mbrëmje së bashku me tani të akuzuarin Mustafa, i cili ëahtë teknik.

Kurse, i akuzuari Hasim Balija deklaroi se nuk është e vërtetë se kishte hasur në një person siç përshkruan akuza, konkretisht në vendin e cekur si në aktakuzë.

“Atë person nuk e kam taku aty siç ceket në aktakuzë, por atë person e kam hasur në rrugë në fshatin Jezerc. Ai person ka qenë me traktor, i cili nuk kishte pasur të ngarkuar drunj, i njëjti ishte duke shkuar në shtëpinë tij”, tha Balija.

Ai tha se e ka fqinj personin në fjalë dhe se nuk e ka ndaluar sepse nuk ka pasur asgjë të ngarkuar dhe po ashtu tha se e di se ka pasur edhe fletëpërcjellje.

“Për personat të cilët kanë fletëpërcjellje, e kemi obligim që ta ndalojmë dhe ta identifikojmë, ndërsa edhe jo t’i bëjmë fletëparaqitje”, tha tutje i akuzuari Balija.

Ndërsa, i akuzuari Ahmet Bajraktari ka dhënë mbrojtjen e tij, ku deklaroi se kishte shkuar në pronën private të Rasim Avdylit dhe aty e kishte takuar atë, ku kishin zhvilluar bisedë të zakonshme, mirëpo tha se nuk i kishte kërkuar para atij.

“Unë atë ditë e kam pasur një fëmijë të sëmurë si pasojë e një aksidenti, dhe gjatë bisedës me Rasimin i kam treguar lidhur me këtë, në ato momente kam hipur në veturë, pastaj Rasimi i ka nxjerrur 30€ dhe i ka gjuajtur mbrenda në veturë dhe më ka thënë se këto po t’i jap për shkak të djalit, këto para ia kam kthy Rasimit pas dy muajve të cilin e takova në Ferizaj”, tha Bajraktari.

Kurse, i akuzuari Avdi Agushi, deklaroi se për datën të cilën akuzohet, atë ditë kishte takuar personin e quajtur F.G, i cili kishte pasur fletëpërcjellje për bartje të drunjve.

Sipas të akuzuarit Agushi, personi G., e kishte njoftuar se për shkak të një defekti të traktorit nuk po mund t’i barte drunjtë për kohën e caktuar. Ai tha se pasi e kishte shikuar fletëpërcjelljen e tij, më pas së bashku me Mustafën, e kishin liruar atë.

Kurse, i akuzuari Naim Avdyli deklaroi se i kishte kërkuar 100 euro borxh nga tani i akuzuari Heset Neziri.

“Heset Nezirin e njoh, nuk e kam njohur si dëmtues të pyllit, të njëjtit i kam kërkuar borxh 100 euro për shkak se më janë duhur për çështje familjare, unë edhe para kësaj kohe të njëjtit i kam kërkuar borxh, po ashtu edhe ai më ka kërkuar borxh per çështje të ndryshme, dhe gjithmonë ia kam kthyer po ashtu edhe shumën prej 100 euro ia kam kthyer diku mbas 3-4 mujve”, deklaroi i akuzuari Avdyli.

Ndërsa, në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Bahtir Troshupa, i akuzuari Heset Neziri deklaroi se i kishte dhënë 100 euro Naim Avdylit për çështje familjare.

“Unë Naim Avdylin e njoh, kemi raporte miqësore familjare, ia kam dhënë 100 euro për nevoja familjare, nuk më kujtohet kur por e di që i njëjti atë shumë të parave ma ka kthyer”, tha i akuzuari Neziri.

Ndërsa, i akuzuari Ramadan Ukzmajli tha se pas konsultimeve me mbrojtësin e tij me zëvendësim, avokatin Liridon Jetishi, do të shfrytëzojë të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Po ashtu, edhe të akuzuarit Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj, Ali Kosumi, Rasim Avdyli dhe Isuf Qerkini, pas konsultimeve me mbrojtësit e tyre, avokatët Vllaznim Alijaj, Rafiz Shehu, Burim Krasniqi, Kemajl Ademi, Elvira Heta-Vata, kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri ka shpall të përfunduar procedurën e shqyrtimit të provave.

Në këtë rast, Sabedin Mustafa, Beqë Uka, Hasim Balija, Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj, Ahmet Bajraktari dhe Avdi Agushi, akuzohen për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të akuzuarit Sabedin Mustafa, Hasim Balija, Bahri Baliu, Avdi Agushi e Ahmet Bajraktari ngarkohen edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Për çka, në seancën fillestare të mbajtur më 25 gusht 2021, për këtë vepër fajtor u deklarua vetëm Ahmet Bajraktari.

Për veprën penale të “Marrjes së ryshfetit” ngarkohen të akuzuarit Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Naim Avdyli e Ahmet Bajraktari.

Ndërsa, për veprën penale të “Dhënies së ryshfetit” ngarkohen të akuzuarit Heset Neziri, Isuf Çerkini, Ali Kosumi e Rasim Avdyli, këta dy të fundit në seancën fillestare të mbajtur më 25 gusht 2021 janë deklaruar fajtorë për këtë vepër penale, për çka gjykatësi Ibrahim Idrizi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit për të njëjtit do të bëhet në fund, pasi gjykimi të përfundojë për të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat