Grabitja e armatosur në Suharekë, masa e paraburgimit, deklaratat e të dyshuarve – çka dihet deri më tani

Aktuale

Grabitja e armatosur në Suharekë, masa e paraburgimit, deklaratat e të dyshuarve – çka dihet deri më tani

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 08:49
Personi i arrestuar

Gjykata Themelore në Prizren të premten u ka caktuar një muaj paraburgim katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Suharekë të mërkurën e 22 nëntorit.

Të dyshuarit B.B, B.I dhe L.C ngarkohen me veprën penale “Grabitja”, ndërsa i dyshuari T.B ngarkohet me veprën penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të dyshuarit u arrestuan të enjten gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Carralevë. Gjatë këtij operacioni, mbeti i vdekur njëri nga të dyshuarit.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se “Të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., më datë 22 nëntor, në ora 15:45min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B:, me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të pandehurit  B.B., B.I., K.G., D.G., dhe L:C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës, ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit, të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa… largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të paarritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., arrestohen nga Policia”.

Ndërkaq “I pandehuri, T.B., më datë 30 nëntor,2023 në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit T.B., gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e Policisë, me urdhër së procedurës paraprake Policia ka gjetur një (1) revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS end B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armët”.

Për të njëjtin rast, më 27 nëntor, gjyqtarja e procedurë paraprake kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe të pandehurve F.T., dhe A.B., u ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për shkak të dyshimit të bazuar se kishin kryer veprën penale “dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes”.

Ndryshe, një i vrarë, dy policë të plagosur, shtatë të arrestuar dhe një i dyshuar në arrati është bilanci total nga grabitja e një argjendarie në Suharekë që ndodhi javën e kaluar, ka konfirmuar Policia e Kosovës të enjten.

Policia ka zhvilluar një operacion gjatë ditës së enjte, ku ka mbetur i vrarë një nga personat që dyshohet se mori pjesë në grabitjen e një argjendarie në Suharekë.

Sipas Policisë, fillimisht viktima ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një polic që është jashtë rrezikut për jetë. Policia është detyruar të vetëmbrohet.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij aksioni, janë arrestuar edhe katër të dyshuar, duke e çuar numrin total të të arrestuarve në shtatë.

Njëri nga të arrestuarit u lirua më herët për mungesë provash, ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit pasi dyshohet se kanë dhënë ndihmë në përgatitjen e planit për grabitje.

Vlen të theksojmë se më 22 nëntor kishte ndodhur plaçkitja e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat