Letra me njolla të gjakut e ish-ushtarit të UÇK-së, e shkruar në momentet e fundit të jetës

Aktuale

Letra me njolla të gjakut e ish-ushtarit të UÇK-së, e shkruar në momentet e fundit të jetës

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 10:53
Gëzim Hamza

Nga Mamusha si refugjatë u kthyen në Rahovec.

Por, ajo që e gjetën në hyrje të shtëpisë, e tronditi familjen Cena.

Në shkallë, panë trupin e pajetë të një ushtari të UÇK-së.

Ky i fundit kishte arritur të tërhiqet deri këtu, pas një beteje të ashpër me forcat serbe.

“Kur jemi kthyer prej fshatit këtu, e kemi parë shtëpinë e dëmtuar dhe në hyrje këtu në shkallë e kemi pa trupin e dëshmorit Gëzim Hamza dhe letrën që e ka lënë”, tregon  Ernest Cena, pronar i shtëpisë.

Trupi i pajetë i përkiste ish-ushtarit të UÇK-së, Gëzim Hamza.

I njohur me nofkën “Piktori”, Hamza në këtë vend, në momentet e fundit të jetës, kishte shkruar edhe një letër.

Kjo është letra me njollat e gjakut.

Në të, Hamza kishte shkruar se për dy ditë pati luftime të rrepta kundër forcave serbe, ku ra miku i tij, Agim Qela.

Ndërsa një porosi kishte për pronarin e shtëpisë dhe dy djemtë, Lenhardin dhe

“O Zotë të lutem ndihmona ti, i cili je më i madhi, dhe secili shqiptar të beson shumë. I lutem pronarit të shtëpisë në qoftë se vdes, që kjo letër të shkoj tek fëmijët e mi. O familja ime, ju kamë dashur pa masë, por nuk pata kohë që t’ju tregoj aq sa e keni merituar, ju jap besën se mbas çlirimit të Kosovës do t’ju dua haptas. Dy fëmijët e mi Lenhardi dhe Benjamini më falni se në kohën kur ju jam më i dobishëm ju lash të gjindeni vetë, ju kisha lutur që të vazhdoni rrugën e Babushit tuaj të luftoni edhe ju për Kosovën-Lirinë e popullit.” – Babushi juaj- thuhej në letër.

E amanetin e “Piktorit” e çuan në vend pronarët e shtëpisë.

Pas përfundimit të luftës letrën ia dorëzuan familjarëve.

Porosinë e fundit të të atit, tani po e jetësojnë dy djemtë e tij.

“Po të ishim në rrethanat e luftës, porosia është e thjeshtë, kthimi në luftë dhe çlirimi i popullit. Në rrethana të paqes është një mesazh jashtëzakonisht i vështirë për mu mbajt si amanet, por ne si familje po mundohemi të kontribuojmë për Kosovën dhe popullin aq sa kemi mundësi. Nëse mund ta quaj është një barrë morale për neve, që ne në asnjë sekond dhe asnjë moment të mos dalim prej sjelljes së mirë publike dhe sjelljes së përgjithshme”, thotë Lenhard Hamza, i biri Gëzim Hamzës – “Piktorit

Por, si e mori Gëzim Hamza nofkën “Piktori”.

“Kur ishim në Kroaci, babai ishte me profesion piktor dhe prandaj edhe në luftë e mori nofkën “Piktori”.  Ai u merrte me muzikë, me shkrime, ishte poet dhe shkruante tekste të këngëve”, tregon Benjamin Hamza, i biri i Gëzim Hamzës – “Piktorit”.

Gëzim Hamza në vitet e 90-ta mori pjesë edhe në luftën e Kroacisë kundër forcave serbe.

Ndërsa për trimëri u shqua në operacionin “Olluja”.

Se fundmi, në Rahovec tek shkolla fillore që mban emrin e tij, u zbulua edhe busti i Gëzim Hamzës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat